Edmond Jatagani, punonjës i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, i arrestuar më herët për akte dhe thirrje për dhunë gjatë protestave, është autori i një telefonate që ka alarmuar Policinë e Tiranës që në orën 06:30 të kësaj të hëne, në ditën e parë të shkollës.
Më pas ka regjistruar një video në ambientet e jashtme të shkollës “Emin Duraku” në kryeqytet, ku tregon hollësisht se çfarë kishte bërë.
Pa hezituar, videon e ka postuar në rrjetet e tij sociale.
“Atëherë, sapo mora Policinë e Shtetit te 112, për të denoncuar faktin për terrorizëm me lëndë shkatërrimi në masë në shkolla. Jam te shkolla “Emin Duraku” për të denoncuar faktin e terrorizmit. Të shikojmë për sa do të vijë dhe uroj çdo prind të bëjë të njëjtin veprim për të ruajtur fëmijën e vet. Jam në kryqëzimin e shkollës, ta shikojmë për sa vjen patrulla për terrorizëm në shkolla. Ja shikoni, lulet janë gati për mësuesit! Dera është e mbyllur! Trafik nuk ka, rrugët janë bosh…Policia sapo zgjoi rojen e shkollës.
Qenka një familjar. Kanë kaluar rreth 2 minuta dhe Policia nuk duket akoma. Trafik nuk ka, rrugët bosh! Terrorizëm në shkolla”, shprehet ai në video.
Menjëherë pas telefonatës, forcat e policisë janë angazhuar për verifikimin e informacionit. Pas kontrolleve në ambientet e shkollës, nuk është konstatuar asnjë lëndë plasëse, duke rezultuar se telefonata ishte e rreme,
Pas hetimeve, Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e telefonatës. Ai është arrestuar nga Policia, në bashkëpunim me shërbimet e Antiterrorit.
47-vjeçari akuzohet për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme…
https://www.facebook.com/reel/1552841479467232

