Çështja Veliaj, avokati Ndreca: Nuk ka më asnjë shkak për ta mbajtur në burg, vonesat i kanë shkaktuar dëm Tiranës

Çështja Veliaj, avokati Ndreca: Nuk ka më asnjë shkak për ta mbajtur në burg, vonesat i kanë shkaktuar dëm Tiranës

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka kërkuar që Gjykata e Lartë të shqyrtojë me përparësi masën e sigurimit ndaj tij, duke theksuar se duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, nuk ekzistojnë më shkaqe për mbajtjen e Veliajt në burg dhe masa proporcionale është lirimi i tij, në mënyrë që të mund të ushtrojë detyrën si kryebashkiak.

“Gjykata e Lartë duhet të trajtojë ato që Kushtetuesja ka parashtruar. Vendimi proporcional është ai i lirimit dhe krijimi i mundësisë për të ushtruar detyrën e tij. Kemi bërë dy kërkesa në Gjykatën e Lartë për ta përshpejtuar, për shkak të rëndësisë që ka personi, një kryetar bashkie në detyrë. Interesi është i dyfishtë: interesi i Erion Veliajt, si i çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që kërkon lirinë kur nuk ka më asnjë shkak të mbahet në burg dhe ka të drejtën për të ushtruar detyrën e tij si kryebashkiak i Tiranës. Është e qartë se çfarë ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës dhe dëmet që i janë shkaktuar qytetit për shkak të kësaj mase”, tha Ndreca.

Ai shtoi se fakti që vonesa në trajtimin e çështjes së masës së sigurimit të Veliajt është kthyer në një problem në vetvete.

“Fakti që është vonuar prej rreth 16 muajsh, i ka hequr efektshmërinë edhe vendimmarrjes. Pra, nëse një vendimmarrje për një masë sigurimi që sipas Kushtetutës dhe Gjykatës së Strasburgut parashikohet që duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse po flasim jo vetëm për lirinë e një individi, por po flasim për heqjen e mundësisë për të ushtruar detyrën e zgjedhur nga qytetarët e Tiranës të një kryetari bashkie dhe thelbi i asaj çfarë ne duam të themi është që: Gjykata e Lartë duhet menjëherë të trajtojë të gjitha ato çfarë Gjykata Kushtetuese ka parashtruar në vendimin e saj, në mënyrë që të dalë në një vendim të tillë, që të jetë proporcional, dhe vendimi më proporcional në lidhje me detyrën që ushtron z. Veliaj është ai i lirimit dhe kthimit të mundësisë për të ushtruar detyrën e tij”, tha Ndreca.