HAJVALI, Prishtinë – Vllaznia e Shkodrës është eliminuar që në turin e parë kualifikues të Conference League. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini u mposht 5-0 nga Malisheva e Kosovës këtë të mërkurë në ndeshjen e kthimit të kompeticionit evropian. Sfida e një jave më parë në ‘Loro Boriçi’ ishte mbyllur me fitoren 2-1 të Vllaznisë, por sot shkodranët kanë qenë hija e vetvetes.
Me rezultatin e përgjithshëm 6-2 Malisheva kualifikohet në turin e dytë për herë të parë në histori dhe gjen përballë Hibernian, ndërsa futbolli shqiptar vijon të mbetet në vendnumëro.
NDESHJA – Vendasit e Malishevës dominuan sfidën dhe shënuan dy gola në pjesën e parë me autor Kreshnik Ukën dhe Xhemal Ibishin. Shqiptarët e Kosovës vijuan të krijonin raste edhe në fraksionin e dytë duke shënuar sërish me Ukën, teksa te goli dolën edhe Arlind Veliu dhe Krenar Dulaj (i sapofutur në fushë).
Malisheva disa javë më parë uli në stol Thomas Brdaric, ish-trajnerin e Vllaznisë që sot eliminoi skuadrën shkodrane. Malisheva i shkakton Vllaznisë një ndër disfatat më të rënda në garat evropiane.
Skuadra nga elita e futbollit të Kosovës bëhet skuadra e tretë pas Rapid Vienës dhe Napolit që mund skuadrën shkodrane me shifrat 5-0.
2008 – Napoli 5:0 Vllaznia
2009 – Rapid Viena 5:0 Vllaznia

