HomeAktualitetDebat

“Çunat” e BKH-së po “influencojnë” edhe krimin e rëndomtë: Pse po keqpërdoret emri i ”FBI”-së shqiptare?

“Çunat” e BKH-së po “influencojnë” edhe krimin e rëndomtë: Pse po keqpërdoret emri i ”FBI”-së shqiptare?

ga rrëmbimi i Xhafzotajt te tenderat e AKSHI-t, emri i institucionit më të frikshëm në vend po përdoret si pasaportë për rrëmbim. Dhe neni 247 nuk i tremb dot.

Viteve të fundit ka një institucion që ka arritur atë lloj autoriteti që nuk të vjen nga shkalla e pagës, por nga pesha e dosjeve. Kyinstitucion ka goditur atje ku dhemb. Ka çuar në bankën e të pandehurve dhe ka trokitur ne dyer të disa njerëzve që deri dje ishin të paprekshëm. Ka bërë që emri i tij të pëshpëritet me respekt nga qytetarët e me tmerr nga ata që kanë fjetur mbi tendera e fonde publike. Pikërisht ky reputacion, i ndërtuar me punë e jo me fjalë, është kthyer në objekt lakmie për botën e krimit.

Problemi është i thjeshtë për t’u kuptuar: kur një institucion bëhet simbol i forcës ligjore, kriminelët përpiqen ta imitojnë. Të veshin lëkurën e tij për të kryer pikërisht ato vepra që institucioni i vërtetë ka për detyrë t’i ndëshkojë

Po flasim për një metodë që po përsëritet.

Rasti i parë: Kushërinjtë Neza dhe gjoba 2 milionë euro ndaj bosit të call-center

Fundi i Marsit 2026. Tre kushërinj me precedentë penalë, të njohur për përdorim lëndësh narkotike, i dalin përpara një 32-vjeçari në zonën e ish-Parkut në Tiranë. Individi në fjalë nuk është ndonjë biznesmen i ndershëm, por dikush i përzier në zhvatje call center-ash. Njëri prej tre kushërinjve i pret rrugën dhe i thotë frazën që tani ka filluar të qarkullojë në botën e krimit si fjalëkalim universal: “Jemi BKH.”

Viktima nuk bën rezistencë. Nuk pyet për mandate, nuk kërkon të shohë dokument identifikimi. Hipën në makinë sikur të ishte thirrur nga vetë Prokuroria e Posaçme. E çojnë në Xhafzotaj. Atje e mbajnë peng gjithë natën. Kërkesa fillestare është 2 milionë euro. Pas disa orësh dhunë dhe presioni, kushërinjtë Neza “zbuten” dhe shifra ulet në 500 mijë euro. Në mëngjes e lëshojnë me premtimin se do t’i gjejë paratë.

Ky rast, edhe pse përfshin kriminelë të rëndomtë dhe jo mafie si Agasi & Co’, tregon mekanikën bazë të fenomenit: mjaftojnë tri shkronja për të paralizuar çdo refleks mbrojtës te viktima.

Rasti i dytë: Defenderi i zi dhe tenderat e AKSHI-t

Gusht 2025. Gerond Meçe, aksioner në kompaninë teknologjike “ABS”, zbret nga apartamenti i tij në Tiranë. Pranë tij ndalon një fuoristradë Range Rover Defender me xhama të errët dhe fenelina policie. Nga makina zbret një burrë i veshur me uniformë blu. Mbi gjoks mban jelek të zi me shkronja të bardha: emrin e atij institucioni që tani e dimë të gjithë.

Meçe hipën pa kundërshtuar. Ai beson se po e çojnë për hetim. E kupton që ka rënë në grackë vetëm kur i vendosin prangat pa i dhënë asnjë shkresë shoqërimi. Ironikisht, as prangat nuk dinin t’i vendosnin siç duhet.

Makina nuk merr drejtimin e godinës së hetimit. Merr drejtimin e rrënojave të Graçenit. Aty jeleku me emrin e institucionit hiqet. Në vend të tij shfaqet një pistoletë dhe një zarf i bardhë. Brenda zarfit, një tabelë Excel me një listë të detajuar tenderash që kompania e Meçes kishte ankimuar pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Kërkesa nuk ishte monetare. Ishte eliminim biznesi. “Tërhiq ankesat ose këtu mbaron puna jote.”

Meçe mbahet 6 orë nën kërcënimin e armës. I japin telefonin vetëm për të qetësuar familjen, ndërkohë që monitorojnë nëse rasti është denoncuar në polici. Në fund, detyrohet të tërheqë ankimimet për 7 procedura tenderimi përmes platformës e-Albania. Më pas e braktisin në një fshat të thellë të Elbasanit.

Ky nuk është më rast batakçinjsh. Ky është krim i organizuar që përdor uniformën e shtetit për të eliminuar konkurrencën në garat publike. Të njëjtat tendera që më vonë do të bëheshin objekt i hetimeve zyrtare dhe arrestimit të drejtoreshës së AKSHI-t.

Në Kodin Penal shqiptar, çështja e përdorimit të paligjshëm të uniformës dhe titullit shtetëror trajtohet konkretisht në dy nene. Neni 246, i titulluar “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikon se kushdo që përvetëson një titull apo detyrë shtetërore dhe kryen veprime që i takojnë mbajtësit të atij titulli, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet, ndërsa kur vepra prek lirinë e shtetasit ose kryhet për qëllime fitimi, dënimi shkon deri në pesë vjet burgim. Neni 247, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, parashikon të njëjtat masa për këdo që mban pa të drejtë uniformën apo shenjat dalluese të një punonjësi që kryen detyrë shtetërore, shoqëruar me veprime të paligjshme, dhe sërish, kur cenohet liria ose ka qëllim fitimi, dënimi kap pesë vjet.

Problemi nuk qëndron tek ekzistenca e këtyre neneve, por tek pesha e tyre specifike në raport me dëmin që shkaktohet. Kur një grup kriminal vesh jelekun e një institucioni që ka arritur respekt dhe autoritet në sytë e publikut, nuk po kryen thjesht një shkelje administrative të veshjes. Por po grabit besimin që qytetarët kanë tek ai institucion. Çdo herë që një qytetar rrëmbehet nga dikush që i thotë “Jemi BKH”, nuk dëmtohet vetëm viktima, por gërryhet nga brenda imazhi i një strukture që e ka ndërtuar reputacionin me vite punë. Pesë vjet burgim, në këtë kontekst, nuk përbëjnë një parandalim real për ata që përdorin uniformën si maskë për të kryer krime të rënda. Për ta, kjo masë është një kosto e vogël, një rrezik që merret pa shumë mëdyshje kur përballë qëndron përfitimi prej qindra mijëra eurosh apo eliminimi i një konkurrenti në tendera milionësh.

Nëse shteti dëshiron ta mbrojë seriozisht imazhin e institucioneve të tij më të rëndësishme nga përdorimi i paligjshëm dhe abuziv, atëherë Neni 246 dhe Neni 247 kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme ligjore. Ashpërsimi i dënimit për këto vepra, veçanërisht në atë pjesë që lidhet me cenimin e lirisë dhe përdorimin mashtrues të uniformës, është i domosdoshëm. Deri atëherë, çdo batakçi rruge dhe çdo grup i organizuar kriminal do të vazhdojë ta shohë atë jelek si një investim të vogël për një fitim të madh, duke e kthyer frikën e merituar të publikut ndaj institucionit në një armë kundër vetë publikut. /Pamfleti