Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se e respekton vendimin e marrë sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku 4 ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burg.
Përmes një reagimi për gazetarin e Report Tv, Ermal Qori, DASH shkruan se është në mbështetje të Drejtësisë për të gjitha viktimat gjatë kohës së luftës dhe familjet e tyre, duke theksuar se rikonfirmojnë mbështetjen për një proces të rregullt ligjor, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.
Në përfundim të reagimit, DASH u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë vendimin e Gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vijojnë punën drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike.
“Shtetet e Bashkuara respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës të marrë sot. Ne mbështesim drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, thuhet në reagimin e DASH për Report TV.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.

