HomeAktualitetKryesore

DOKUMENTET/ Skandali në Lushnje: Saimir Korreshi hipotekoi toka pa tituj pronësie

DOKUMENTET/ Skandali në Lushnje: Saimir Korreshi hipotekoi toka pa tituj pronësie

Ashtu sikur kishim premtuar, media jonë vijon zbardhje e skandaleve në Hipotekën e Lushnjes, kur kjo e fundit drejtohej nga Saimir Korreshi, aktualisht deputet i Partisë Demokratike.

Në një denoncim drejtuar këtë vit Agjencisë Shtetërore të Kadastrës del në pah sesi Korreshi në vitin 2010 ka firmosur disa Certifikata Pronësie që pas verifikimeve kanë rezultuar të falsifikuara.

Më saktë, në prag fushte Partia Demokratike me Saimir Korreshin në krye i ka joshur qytetarët e Lushnjes duke shpërndarë certifikata të pabazuara në praktika ligjore. Më poshtë do të keni mundesi të njiheni edhe me dokumentacionin paradoksal ku shtetasi P. B. nga Kolonja ka hipotekuar nga Korreshi në vitin 2010 një truall prej 250 metrash katrorë, por këtë vit teksa ka pritur legalizimin ka rezultuar se Certifikata e Pronësisë ka qenë e pavlefshme.

Në këto rrethana dhe ndoshta i vetëdijshëm se ka qenë viktimë e mashtrimit të PD-së në Lushnje, P. B. ka hequr dorë nga hipotekimi që i ka bërë Saimir Korreshi dhe ka pranuar se toka mbi të cilën ka ndërtuar i përket shtetit.

Më poshtë po sjellim Certifikatën e Pronësisë të vitit 2010 dhe deklaratën e P.B.t në prill të këtij viti para Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

“Gjatë studimit të dosjes nga specialist juridik përkatës në sektorin e legalizimit u konstatua se në regjistrimin e pasurisë Nr 5/165 mungon titulli i pronësisë dhe për këtë arsye iu kërkua aplikuesit të përpilonte te noteri një deklaratë noteriale ku shprehej se kërkonte të vazhdojë legalizimin në toke shtetërore dhe heqjen dorë nga regjistrimi i mëparshëm i kryer me referencë numër 00002178” – thuhet për rastin në fjalë.

Pra, një shtetas është paraqitur në ASHK këtë vit për të legalizuar ndërtimin me certifikatë pronësie të lëshuar nga Saimir Korreshi 16 vite më parë dhe specialistët kanë parë se kjo certifikatë është përftuar në mënyrë të çuditshme: Pa patur titullin e pronësisë në praktikën e regjistrimit.

Ajo që mbetet e çuditshme është heshtja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në të njëjtin dokumentacion që ne disponojmë, përmenden dhjetëra raste të ngjashme që mbajnë firmën e Saimir Korreshit. Denoncimi madje i tërheq vëmendjen ASHK-së ku i kërkon referimi penal i këtyre rasteve në organin e akuzës.

“Ju si Agjenci keni detyrimin që lind nga zbatimi i nenit 281 të Kodit të procedurës Penale që të kallëzoni rastin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier apo në SPAK në Tiranë, për zyrtarë apo shtetas të zakonshëm, mbi dyshimet se kanë kryer njërën apo disa nga veprat penale si Falsifikim i dokumenteve, Mashtrim, Shpërdorim detyre, Pastrim i produkteve të veprës penale” – thuhet në denoncimin që shtetasi L.S. ka bërë pranë ASHK.

Sipas dëshmisë, dhjetëra raste si ai i shtetasit P. B. në Kolonjë kanë sjellë edhe pasoja sociale. Nxjerrja e certifikatës së pronësisë nga ish-kreu i Hipotekës së Lushnjës Saimir Korreshi, duket qartë se është realizuar në shkelje të legjislacionit të kohës pasi dokumentacioni shoqërues nuk ka qenë conform detyrimeve ligjore.

“Këto raste kanë sjellë mosmarrëveshje në vijim mes qytetarëve, kryesisht mes atij që e ka hipotekuar i mashtruar nga Korreshi dhe blerësit të pronës më pas që ka rezultuar se ka blerë një tokë me dokumentacion të falsifikuar” – thuhet në dëshmi.

Me shpresën se organet si SPAK apo Prokuroria Fier do të hetojnë seriozisht veprimtarinë e Saimir Korreshit si ish drejtor I ZVRPP Lushnje, media jonë premton se nuk do të ndalet së publikuari denoncimet e qytetarëve.