Egnatia dorëzohet në Dublin, Shamrock Rovers fiton 3-1 në Europa League! Rrogozhinasit kërkojnë mrekullinë në sfidën e kthimit

Egnatia dorëzohet në Dublin, Shamrock Rovers fiton 3-1 në Europa League! Rrogozhinasit kërkojnë mrekullinë në sfidën e kthimit

DUBLIN, Irlandë – Egnatia humbi 3-1 të martën ndaj Shamrock Rovers në Dublin, në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Europa League. Kampionët e Shqipërisë rezistuan në pjesën e parë, por u dorëzuan në fraksionin e dytë, duke e bërë më të vështirë misionin për kualifikimin në fazën ‘play-off’.

Shamrock Rovers kaloi në avantazh në minutën e 29-të, pas një penalltie të fituar nga vendasit. Ildi Gruda shkaktoi një faull brenda zonës dhe Graham Burke u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar irlandezët në epërsi. Egnatia reagoi shpejt dhe në minutën e 41-të fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje në zonë ndaj Grudës. Fillimisht arbitri akordoi karton të verdhë për simulim ndaj sulmuesit shkodran, por pas konsultimit me VAR ndryshoi vendimin dhe i dha mundësinë skuadrës shqiptare të barazonte.

Nga pika e bardhë goditi Jaime, por portieri i Shamrockut e ndali fillimisht topin. Megjithatë, spanjolli ndoqi aksionin dhe në tentativën e dytë dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll 1-1.

Në fraksionin e dytë, Shamrock Rovers mori kontrollin e ndeshjes dhe realizoi dy gola të shpejtë që vendosën fatin e takimit.