“Fundi i një bote”! Veliaj për fitoren e studentëve në Serbi: Politika duhet të kuptojë pritshmëritë e brezit të ri

“Fundi i një bote”! Veliaj për fitoren e studentëve në Serbi: Politika duhet të kuptojë pritshmëritë e brezit të ri

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar pas humbjes së Aleksandër Vuçiçit në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke përshëndetur fitoren e Listës Studentore dhe rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në parlamentin serb.

“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, shkruan Veliaj në reagimin e tij.

Sipas tij, lëvizjet studentore nuk duhen parë si një kërcënim ndaj rendit politik, por si shenjë e mbylljes së një epoke.

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkruan Veliaj.

Ai ka përshëndetur gjithashtu rezultatin e partive shqiptare në Serbi, të cilat sipas projeksioneve të para rrisin përfaqësimin nga një në dy mandate.

“Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, përfundon Veliaj.