Këshilli i Apelit të Selanikut ka miratuar ekstradimin në Shqipëri të Ilir Shtufit, biznesmenit 53-vjeçar ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve shqiptare, Shtufi akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe për pastrim të produkteve të veprës penale, të ardhura që dyshohet se lidhen me raste të trafikut të drogës në Tiranë.
Ilir Shtufi u lokalizua dhe u arrestua në qershor të këtij viti në një hotel në Selanik nga efektivët e Nëndrejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore, pas informacioneve të siguruara nga INTERPOL.
Gjatë seancës gjyqësore, ai mohoi të gjitha akuzat dhe kundërshtoi ekstradimin, duke pretenduar se është objekt i një përndjekjeje politike nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për shkak të veprimtarisë së tij si biznesmen.
Shtufi deklaroi gjithashtu se ka frikë për sigurinë e tij nëse ekstradohet në Shqipëri dhe vuri në dyshim paanshmërinë e sistemit shqiptar të drejtësisë.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Këshilli i Apelit në Selanik vendosi në favor të ekstradimit të tij në Shqipëri.

