Një aksident tragjik rrugor i ka marrë sot jetën dy shqiptarëve në Greqi. Viktimat janë një grua 43-vjeçare dhe djali i saj, të cilët humbën jetën mëngjesin e së premtes pasi makina me të cilën udhëtonin u përplas “kokë më kokë” me një kamion në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, në rajonin e Serres.
Sipas mediave greke, në momentin e aksidentit automjeti drejtohej nga i riu, ndërsa nëna e tij ndodhej në sediljen e pasagjerit. Ata punonin tw dy nw sektorin e pasurive tw paluajtshme. Përplasja, siç e tregojnë edhe pamjet ishte aq e fortë sa të dy humbën jetën në vend. Shoferi 56-vjeçar i kamionit mbeti i plagosur lehtë dhe u transportua në spital.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamjet e aksidentit. Videoja tregon kamionin duke lëvizur në korsinë e tij, kur papritur përballë shfaqet makina, e cila duket se lëviz me shpejtësi të lartë. Përplasja ndodh brenda pak sekondash.
Pas tragjedisë ka folur edhe bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i të riut, i cili mes lotësh tha se brenda pak çastesh humbi dy njerëzit më të afërt.
“Kam humbur gruan dhe djalin tim. Po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi. Kam humbur gjithçka”, u shpreh ai për televizionin publik grek ERT.
Mediat greke raportojnë se familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në Paleokomi. Nëna dhe djali punonin në të njëjtën kompani të pasurive të paluajtshme në zonën e plazhit të Ofrinios dhe mëngjesin e së premtes ishin nisur drejt vendit të punës kur ndodhi aksidenti.
Versionin e tij për ngjarjen e ka dhënë edhe shoferi i kamionit. Në një prononcim për Mega, ai tha se po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75-80 km/h, kur pa makinën që, sipas tij, kishte humbur kontrollin dhe kishte hyrë në korsinë e kundërt.
“Isha normalisht në korsinë time. Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. U përpoqa të shmangesha majtas, por nuk munda. Ajo u përplas me kamionin tim dhe ndodhi tragjedia”, tha ai.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.

