Hayden Panettiere ndërron jetë në moshën 36-vjeçare! Jeta mes famës dhe varësisë nga droga të yllit të ‘Bring it on’ dhe ‘Heroes’

Hayden Panettiere ndërron jetë në moshën 36-vjeçare! Jeta mes famës dhe varësisë nga droga të yllit të ‘Bring it on’ dhe ‘Heroes’

Hayden Panettiere, aktorja e njohur për rolet e saj në seriale televizive dhe filma si “Bring it on” e “Scream”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare. Shkaku ende nuk është bërë i ditur.

E lindur në vitin 1989, Panettiere ishte ende fëmijë kur nisi të aktronte, vetëm 11 muajshe, duke u shfaqur në një reklamë për lodra. Debutimin e saj në ekranin e madh e bëri si zëri i Dot në filmin A Bug’s Life, në moshën 9-vjeçare.

Në vitin 2000, ajo u shfaq në filmin “Remember the Titans”. Në vitin 2004, ajo mori rolin e saj të parë kryesor, si vajza e personazhit të luajtur nga Bill Pullman në filmin “Tiger Cruise” të Disney Channel.

Panettiere u bë e famshme në mbarë botën në moshën 17-vjeçare, me rolin e nxitëses së paprekshme të tifozëve, Claire Bennet në serialin “Heroes”, i cili kishte moton e njohur dhe misterioze: “Shpëto nxitësen e tifozëve, shpëto botën”. Seriali u bë një hit dhe u transmetua për katër sezone, nga viti 2006 deri në vitin 2010.

Panettiere është nominuar për dy Golden Globe për rolin e saj si Juliette Barnes në serialin “Nashville”. 11 këngë që ajo regjistroi për serialin u renditën edhe në Billboard.

Në vitin 2014, ajo solli në jetë vajzën e saj, Kaya Klitschko, me ish-të fejuarin e saj, kampionin ukrainas të boksit në peshat e rënda, Wladimir Klitschko. Në vitin 2018, Panettiere ia dha kujdestarinë e plotë të vajzës Klitschko-s, në mënyrë që të përqendrohej në rimëkëmbjen nga ajo që e quajti një “cikël të tmerrshëm prej vitesh, duke luftuar me depresionin, ankthin, alkoolizmin dhe abuzimin me substancat”.

“Nuk e dija se ku përfundonte alkoolizmi dhe ku fillonte depresioni pas lindjes,” tha Panettiere në një intervistë në vitin 2022. “Dhe e sfilita veten tej mase.”

Ajo hyri në rehabilitim në vitin 2015, ndërsa po xhironte “Nashville”, dhe përvoja e saj më pas ndikoi në disa prej linjave të historisë së serialit.

“Kjo nuk ka qenë e lehtë dhe ka pasur shumë ulje-ngritje,” tha ajo në një intervistë të vitit 2022. “Por nuk pendohem as për gjërat më të shëmtuara që më kanë ndodhur. Ndihem jashtëzakonisht e realizuar. Dhe ndihem sikur më është dhënë një mundësi e dytë.”

Në fillim të këtij viti, ajo botoi një autobiografi me titull “This is Me: A Reckoning”, ku rrëfeu për vështirësitë e saj me famën, depresionin pas lindjes, varësinë dhe rimëkëmbjen. Në libër, Panettiere shkroi për lidhjen që kishte krijuar mes aktrimit dhe dashurisë: “Regjisorët, fansat dhe mamaja më lavdëronin pa fund për reagimet e mia dramatike dhe të ekzagjeruara. Në mënyrë të pavetëdijshme, fillova ta lidh katastrofën me adhurimin; njerëzit më donin sepse në imagjinatë më ndodhnin gjëra të këqija.”

Në maj, ajo foli për vajzën e saj. “Do ta dua gjithmonë. Gjithmonë më mungon,” tha ajo. “Gjithmonë dua ta mbaj në krahët e mi, por jeta s’është kështu tani … Kam besim se ajo do të vijë tek unë dhe se do të kemi një marrëdhënie, lidhje dhe miqësi të jashtëzakonshme, diçka që shumë prindër nuk arrijnë ta kenë me fëmijët e tyre.”