Një episod i pakëndshëm ka shoqëruar të martën kthimin e Igli Tares nga Milano për në Romë. Ish-drejtori sportiv i Milanit u bë viktimë e një vjedhjeje gjatë udhëtimit me tren, vetëm pak orë pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të legjendës së futbollit italian, Franco Baresi.
Sipas autoriteteve italiane, çanta e Tares u vodh nga rafti i bagazheve gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit. Sapo mbërriti në stacionin “Roma Termini”, ish-futbollisti shqiptar iu drejtua menjëherë Policisë Hekurudhore të rajonit të Lazios për të denoncuar ngjarjen.
Reagimi i shpejtë i efektivëve rezultoi vendimtar. Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, autori i dyshuar u identifikua, u lokalizua dhe u arrestua brenda pak minutash, ndërsa çanta iu kthye menjëherë pronarit.
Vetë Policia italiane e ndau rastin në rrjetet sociale, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe reagimin e menjëhershëm të Tares. Në mesazhin e saj, ajo theksoi se ajo që dukej si një ditë e vështirë u mbyll me një fund të lumtur falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Hekurudhore.

