Ish studenti i dhjetorit dhe ish deputet i PD-së: Kjo eufori e sistemit gjyqësor ka prodhuar pasoja për demokracinë në Shqipëri!

Ish studenti i dhjetorit dhe ish deputet i PD-së:  Kjo eufori e sistemit gjyqësor ka prodhuar pasoja për demokracinë në Shqipëri!

Beteja për pagat mori të hënën një drejtim tjetër, pasi gjyqtarët refuzuan ftesën e Edi Ramës për t’u ulur në tavolinë javën tjetër. Shoqata e togave të zeza paditi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e miratuar javën e shkuar.

Analisti i njohur ish studenti i dhjetorit dhe ish deputeti i PD-së Arben Meçe u shpreh se reforma në drejtësi ka dështuar dhe debati i krijuar për pagat është vetëm një “pjellë” e pushtetit të tyre të pakufizuar.

“Reforma në drejtësi prodhoi këtë pjellë. Prodhuan një sistem, të cilin nuk e gjen në asnjë vend të botës.Por është mbivendosje ndaj pushteteve të tjerë, është kontrollues, por dhe penalizues ndaj pushteteve të tjera. Kjo eufori e këtij pushteti ka sjellë disa probleme në sistemin e demokracisë”, tha ai.

Ai theksoi se cilido person në Shqipëri është i rrezikuar nga ky sistem drejtësie, që sipas tij ka dalë jashtë kontrollit.

Analisti madje e konsideroi si “të tmerrshëm” veprimin e Gjykatës Kushtetuese, që të vendosë kushte për bërjen e ligjit që iu jep rritje pagash gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vetëm sindikatat mund të negociojnë me qeverinë. Sot kushdo në republikën e Shqipërisë është i rrezikuar nga ky sistem. Ky sistem ka dalë jashtë kontrollit. Sistemi ynë juridik, falë politikës me vullnetin për të prodhuar një pushtet të pavarur, ka prodhuar një superpushtet. E tmerrshme që Gjykata Kushtetuese të vendosë kushte për bërjen e ligjit”, tha ai.