Kaosi i vitit 1991-1992, grabitja e pasurive publike dhe komisioni i shkatërrimit të Shqipërisë

Kaosi i vitit 1991-1992, grabitja e pasurive publike dhe komisioni i shkatërrimit të Shqipërisë

Viti 1991 ishte viti kur Shqipëria po përpiqej të shkëputej përfundimisht nga komunizmi, por rruga drejt pluralizmit nuk ishte aspak e qetë. Në sfondin e krizës politike, Shqipëria po përjetonte edhe një krizë të thellë ekonomike dhe sociale. Shteti po përpiqej të kalonte nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, ndërsa nisën proceset e privatizimit dhe ndryshimit të strukturës së pronësisë. Në të njëjtën kohë, institucionet e vjetra po dobësoheshin dhe institucionet e reja ende nuk kishin krijuar autoritetin dhe mekanizmat e nevojshëm për të kontrolluar situatën. Në këtë terren shpërthyen vjedhjet dhe shkatërrimet masive. Fillimisht në pasuritë e ish-kooperativave bujqësore, më pas në magazina, ndërmarrje, objekte ekonomike dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Blegtoria, drithërat, farërat dhe baza ushqimore u grabitën ose u dëmtuan, ndërsa u dogjën e u shkatërruan stalla, magazina, ofiçina, zyra dhe linja përpunimi. Vetëm në të dhënat operative të disa rretheve përmenden mijëra krerë bagëti, dhjetëra mijëra shpendë dhe mijëra kuintalë ushqime të dëmtuara.

Dëmi i llogaritur nga raporti arrinte në rreth 500 milionë lekë në atë kohë, ndërsa i indeksuar në raport me vlerën e mëvonshme, rreth 5 miliardë lekë. Por pas kësaj shifre qëndron një tjetër histori: ajo e institucioneve që duhej ta ndalonin shkatërrimin. Raporti komisionit parlamentar të shkatërrimit të Shqipërisë, i cili funksionoi për 22 muaj, u publikua në seancë parlamentare në vitin 1994. Ishte rezultat e hetimit të ngjarjeve tragjike të sulmit të magazinave, fabrikave, ndërmartrjeve bujqësdore etj, për të ghrabitur pasuritë.

Në pjesën e dytë të raportit, komisioni përqëndrohet tek pyetja: kush e lejoi apo kush e inicioi shkatërrimin e pasurive publike të Shqipërisë.

Në dëshmitë e mbledhura në Laç, Pukë, Lushnjë, Pogradec dhe rrethe të tjera, përsëritet e njëjta tablo: policia akuzohet se nuk ndërhyri, se reagoi me vonesë, se lejoi turmat të vepronin dhe, në disa raste, se vetë punonjës të saj u përfshinë në grabitje. Drejtues vendorë flasin për sinjalizime që nuk u morën në konsideratë, për persona të ndaluar që u liruan dhe për një rend që, në vend të parandalonte, qëndroi në pritje. Në disa prej dëshmive të mbledhura del ideja se pas ngjarjeve mund të kishte një organizim dhe një “dorë të fshehtë” që i drejtonte ato. Në Laç, Lushnjë e më pas në Pogradec, dëshmitarë dhe drejtues të kohës ngrenë dyshime për një rol të qëllimshëm të disa strukturave shtetërore ose politike.

Janë dëshmi të shkruara pak kohë pas ngjarjeve. Por pikërisht për këtë arsye, dokumentet e Komisionit marrin një rëndësi të veçantë: ato nuk tregojnë vetëm çfarë ndodhi me pasurinë e shqiptarëve, por përpiqen të rindërtojnë edhe mënyrën se si shteti reagoi përballë shkatërrimit.

A ishte gjithçka pasojë e kaosit të një vendi që po dilte nga diktatura? Apo pas këtij kaosi kishte edhe interesa, urdhra dhe njerëz që e ushqyen atë?

Raporti përpiqet të japë përgjigje përmes dëshmive, dokumenteve dhe shifrave.

Vazhdimi i raportit të shkatërrimit të Shqipërisë

Për të formuar një ide mbi shkatërrimet, po citoj disa paragrafe të po atij materiali. Në mënyrë të veçantë u dëmtua me vjedhje blegtoria, drithërat, farërat, baza ushqimore. U dogjën dhe u shkatërruan objekte ekonomike, si: stalla, magazina, ofiçina, zyra, linja të përpunimit të ushqimit etj.

Nga të dhënat operative në shkallë rrethi janë vjedhur e grabitur 2700 krerë gjedhë, nga të cilët 1100 lopë, 200 të leshta, 1470 derra, 22200 krerë shpendë. Është vjedhur e dëmtuar 6200 kv silazh, 13000 kv bar, 10000 kv koncentrate për blegtorinë, përveç panxharit dhe lakrës që ishte në fushë dhe u dëmtua pothuajse plotësisht.

Në një informacion tjetër nga dega e rendit të Lushnjës, dëmi i përgjithshëm vlerësohet në masën 58 milionë e 784 mijë lekë e jo në masën 31 milionë e 457 990 lekë, me sa duket përfshihen edhe dëmet në bujqësi.

Shifrat në këtë rast të rrëqethin, lopë e qe pune 1580, viça 1450, dele 2750, derra 4000. Po aty theksohet se të dhënat janë operative. Në fakt, vlera reale e dëmit efektiv të shkaktuar është shumë më e madhe. Një gjë e tillë, edhe nga informacionet që ka sjellë rrethi i Pogradecit, vlerësohet rreth 200 milionë lekë shkatërrime.

Sipas këtyre fakteve arsyetohet se vlera e dëmit të shkaktuar arrin në shifrat rreth 500 milionë lekë, por, e indeksuar, rreth 5 miliardë lekë. Pas gjithë këtyre shifrave, komentet janë të tepërta.

Ngjarjet tragjike për të cilat po flasim mbyllën siparin e vitit 1991 dhe me to filloi viti 1992. Ato ishin vazhdimi i ngjarjeve të rënda e të dhimbshme që po përjetonte Shqipëria. Eksodet masive, greva e studentëve, ngjarjet tragjike të 2 prillit, greva e minatorëve të Valiasit, vjedhjet dhe shkatërrimet masive në pasuritë e ish-kooperativave bujqësore, përsëri eksodi i gushtit, secila më e rëndë se tjetra, ishin me pasoja për Shqipërinë, shqiptarët e demokracinë.

Viti 1991 në skenën politike shqiptare është viti në të cilin u bënë përpjekjet më të mëdha për ta shkëputur hallkën që mbante Shqipërinë lidhur pas komunizmit. Kalendari politik është shumë i ngjeshur.

Në 20 shkurt bie shtatorja e diktatorit. Kurorëzohet me sukses greva e studentëve. Më 31 mars zgjedhjet e pluraliste. 2 prilli – tragjedia e Shkodrës. Më 15 prill fillon punën Parlamenti i parë pluralist. Fundi i majit – greva e përgjithshme. 5 qershor bie Qeveria “Nano”, më 12 qershor PP-ja shndërrohet në PS dhe formula për Qeverinë e stabilitetit. 23 korrik ligji “Për tokën”. Gusht-shtator-mitingje për veprimin politik qytetar e zëra për t’u larguar Qeveria e stabilitetit. Më 27-28-shtator Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku shtrohet problemi i largimit nga Qeveria. Më 27 nëntor largohen nga Qeveria republikanët dhe më 3 dhjetor kriza e Qeverisë së stabilitetit.

Në këtë vit Shqipëria përjetonte një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe shpirtërore. Ajo ishte një krizë besimi. Në fushën politike kundrejt njëra–tjetrës fillimisht PD-ja dhe PP-ja, e pastaj, nga mesi dhe fundi i vitit, të bëhet një koalicion PR-ja, PD-ja e PSD-ja nga njëra anë dhe PS-ja nga ana tjetër.

Në fillimet e vitit, janar-shkurt, Partia e Punës gjendet e përpëlitur nga lëvizja antikomuniste dhe shokohet më 20 shkurt kur bie shtatorja e Enver Hoxhës. Ramiz Alia e komunistët shqiptarë shkatërrimin e kultit të Enverit e quajtën shkatërrim të Shqipërisë. Kjo pasqyrohet qartë në mesazhin që i drejton popullit më 1 shkurt në “ZP”, ku, midis të tjerash, thotë: “Tashmë ka dalë fort e qartë se forcat antidemokratike kanë një strategji të përpunuar. Ato duan shkatërrimin e Shqipërisë, ato duan të shkelin me këmbë çdo gjë që kemi ngritur.”

Nuk është e vështirë të kuptohet spekulimi i Ramiz Alisë dhe që këtu duket qartë se ai po hartonte e po projektonte strategjinë e vërtetë të shkatërrimit në Shqipëri. A vlente që Alia, që e hiqte veten arkitekt i pluralizmit shqiptar, ta quante shkatërrim të Shqipërisë heqjen e shtatoreve dhe busteve të diktatorit?

Ky mesazh, në thelb, ishte një mesazh për shkatërrim. Si do të shohim më poshtë, me spekulime të tilla janë veshur shkatërrime të tilla të fundit të vitit 1991 dhe fillimit të vitit 1992.

Zgjedhjet e 31 marsit u manipuluan dhe u fituan nga PP-ja. Siç kuptohej qartë nga deklaratat e shtypit dhe nga mënyrat se si u festua fitorja, kuptohet qartë se ata ishin të prirur për revansh. Madje shumë shpejt kjo u manifestua më 2 prill në Shkodër, me masakrën që ndodhi atje.

Në qershor krijohet Qeveria e stabilitetit. Formula e partive për krijimin e qeverive u reflektua edhe në pushtetin lokal me komitetet ekzekutive pluraliste. Në fushën ekonomike vlen të theksohet fakti që Qeveria e stabilitetit filloi reformën ekonomike për të orientuar ekonominë e centralizuar në binarët e ekonomisë së tregut. Bota e përkrahu këtë Qeveri. Kështu Komuniteti Evropian i dha Shqipërisë ndihma të konsiderueshme e shpërndarjen e tyre e realizonte operacioni “Pelikan” dhe më vonë operacioni “Shqiponja”.

Filloi puna për një liberalizim të gjithanshëm të ekonomisë. Në program të kësaj Qeverie, një vend të rëndësishëm zinte privatizimi fillimisht i sektorëve të tregtisë dhe të shërbimeve. Për planifikimin dhe shpërndarjen e mallrave në parti ishte krijuar një komision qeveritar, që kishte nën mbikëqyrje komisionet e kontrollit përkatës nëpër rrethe.

Për shpërndarjen e këtyre ndihmave kishte edhe një vendim qeverie. Asnjë makinë e “Pelikanit” dhe e “Shqiponjës” nuk shkonte nëpër rrethe pa një plan të caktuar dhe pa qenë të pranishëm anëtarët e komisioneve të rretheve, që i prisnin, i merrnim në dorëzim dhe kishin përgjegjësi për shkarkimin dhe magazinimin e mallrave. Kështu mbetet enigmë se si erdhën pa lajmëruar 2 makina të ngarkuara me sheqer nga Porti i Durrësit në Mamurras. Kush i solli? Kush e dha urdhrin. Pse u zgjodh Mamurrasi?

Një sërë pyetjesh i lindin kujtdo? Sipas dëshmive me shkrim të ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rajonit të Laçit, zotit Zef Gjonaj, del se u zgjodh Laçi, sepse ai është qytet me përbërje heterogjene, prandaj aty mund të veprohej më lehtë, se Laçi ishte qytet i patrazuar. Me çdo kusht ky duhej shkatërruar. Kështu që inspiruesit e shkatërrimeve u importuan nga fshatrat e qytetet pranë tij.

Ndërsa ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv pluralist të Krujës, nga ku varej rajoni i Laçit, zoti Bujar Derveni, socialist, pohon se ata që sollën sheqerin më 3 dhjetor në Mamurras i kanë joshur banorët e Mamurrasit që të shkojnë para magazinave e të marrin sheqer. Sipas tij kjo është konfirmuar nga njerëz që janë ndodhur aty. Kurse Sami Metalia, ish-anëtar i komitetit pluralist të rrethit, deklaron se ngjarjet kanë qenë skenar i përgatitur, për të shkuar jo drejt Veriut, por drejt Tiranës. Sipas tij Tirana shpëtoi se, turmave iu bë rezistencë në Fushë-Krujë dhe ata u detyruan të kthehen mbrapsht. Reparti i sampistave i dislokuar në periferi të Mamurrasit ka luajtur një rol tepër negativ. Drejtori i ndërmarrjes “Adriatik” deklaron se 5 sampistë kanë sulmuar hapur sallat e kompleksit modern të viçave në “Adriatik”.

Duke përmbledhur pohimet e sipërme të zotërinjve Gjonaj, Derveni dhe Metalia, del se ngjarjet kanë qenë të organizuara. U zgjodh rajoni i Laçit si rajon me përbërje heterogjene, u zgjodh sepse deri në atë kohë nuk kishte pasur trazira, u zgjodh sepse aty ishte i dislokuar edhe një repart i ndërhyrjes së shpejtë, që do të paraprinte e do të kontribuonte, me sa dukej, në këtë destabilizim.

Ngjarjet ishin të jashtëzakonshme. Ato filluan dhe që nga fillimi e deri në fund u ballafaquan me to rendi, gjykata, SHIK-u.

Si vlerësohet puna e organeve të specializuara nga informacionet që na janë vënë në dispozicion nga rrethet e dikasteret si dhe nga njerëzit me të cilët u takuam?

Në Laç, sipas informacioneve nga rrethi i Krujës, në analizën e këtyre ngjarjeve në komitetin pluralist me anëtarët e komitetit, me përfaqësues të forcave politike si dhe organeve të specializuara, shefi i ruajtjes së rendit, i quajtur Bilal, deklaron: “Për ngjarjet e ndodhura në Mamurras e Laç, për sa u takon veprimeve të policisë ka përgjegjësi, sepse ka tërheqje nga ana e tyre. Ne po i analizojmë”, thekson ai.

Sami Metalia, anëtar i komitetit dhe dëshmitar okular në Mamurras, pohon: “…Policia nuk përdori shkopin e gomës ndaj keqbërësve, megjithëse kjo iu kërkua nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Me këtë fakt gjykoj se policia u bë shkak i këtyre ngjarjeve.”

Zef Gjonaj, kryetar i rajonit Laç, thekson: “Qeveria nuk e ka njohur gjendjen. Ministrit të Rendit i kam kërkuar të forcohet rendi në Laç, por asgjë nuk u bë. Ndikim negativ kanë pasur forcat e ruajtjes së rendit. Policia e gjykata janë tërhequr të frikësuara nga ngjarjet e Shkodrës”. Deklarata e drejtuesve të Ministrisë së Rendit Publik se nuk mund të qëllohet mbi barkboshët, ka ndikuar negativisht. Forcat e ruajtjes së rendit bënin sikur e zbatonin ligjin, por, në fakt, lejonin thyerjen e tij. Kanë ndikuar shumë negativisht format demonstrative për vendosjen e rendit. Me fishekë manovre, me thirrje “urra” dhe krisma, në vend që ta shpërndanin popullin e grumbullonin atë.

Nuk janë koordinuar organet e ruajtjes së rendit me ato të drejtësisë. Ata luanin lojën e kungulleshave. Dhe ata që ndaloheshin, organet e drejtësisë i lironin.”

Mark Lleshi, kryetar i këshillit të qytetit të Milotit, thotë se në Milot policët nuk e bëjnë punën.”Këtu asnjë nuk është arrestuar. Kërkoj që të vihet dorë. Dihet mirë se kush ka thyer e vjedhur.”

Si kanë vepruar në Pukë organet e ruajtjes së rendit? Pjetër Dema, kryetar i Komitetit Ekzekutiv pluralist, socialist, në një njoftim për ngjarjet e 7 e 9 dhjetorit 1991 thotë: “Pas vjedhjeve e shkatërrimeve në sektorin kooperativist filluan vjedhjet e shkatërrimet në atë të tregtisë. Deri në muajin nëntor të atij viti, në ndërmarrjen tregtare të shitblerjes janë thyer në mënyrë të fshehtë 20 njësi, me vlerë 2.2 milionë lekë.”

Pasi jep edhe 2 raste vjedhjesh në Apri e Fierzë ai shton: “Theksoj se në të dy rastet e lartpërmendura organet e rendit dhe të hetuesisë nuk kanë shkuar me kohë në vendngjarje, por me disa ditë vonesë. Gjithashtu, të gjithë personat që u ndaluan për ngjarjen e Fierzës u lëshuan nga hetuesia e prokuroria. Një indiferentizëm dhe pasivitet i tillë,- shton ai,- nga ana e këtyre organeve, ndaj këtyre grabitësve, unë e kuptoj si një thirrje pa zë që u bëhej fshatrave dhe fshatarëve të tjerë për grabitje etj. Ditën e hënë,- vazhdon më poshtë ai,- më 9 dhjetor jemi mbledhur në zyrën time me hetuesinë, prokurorinë dhe degën e rendit për të operuar pa vonesë. Drejtuesit e këtyre organeve ranë dakord, por e vërteta është se ata filluan me shumë vonesë, vetëm më 11 dhjetor, domethënë vetëm pas 3 ditëve, atëherë kur edhe më budallenjtë po të ishin do t’i mbulonin me shumë lehtësi gjurmët e krimit.”

Pas këtyre fakteve, komentet janë të tepërta.

Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Pukës, zoti Mislim Ahmeti, përfaqësuesi i Partisë Agrare, pyet: “Pse ju shokë të hetuesisë nuk veproni kur shihni se vidhet? Pse nuk u kontrolluan 15 familje që u caktuan, veçanërisht në pallatin e policisë? Si e shihni ju gjendjen e degës? Policia ka qenë bashkëpunëtore në vjedhje?”

Më poshtë, po ky zotëri pohon: “Në vjedhje ka pasur gisht vetë policia.”

Fadil Cani, zëvendësministër Rendi, deklaron: “Është njoftuar ministria për shefin e kuadrit që ka marrë pjesë në vjedhje në Pukë dhe është pezulluar. Me kritikat që iu bënë policisë jam dakord. Ka pasur paaftësi profesionale, por ajo nuk mund të jetë shkaktare e këtyre ngjarjeve.”

Që këtu duket qartë se edhe në Pukë akuzohet policia si shkaktare e këtyre ngjarjeve. Zëvendësministri përpiqet ta përmirësojë këtë imazh duke e marrë në mbrojtje.

Në konkluzionet e Komitetit Ekzekutiv pluralist të Lushnjës për forcat e rendit thuhet: “Organet e ruajtjes së rendit në rreth, megjithëse u sinjalizuan që në fillim për veprime shkatërruese masive, jo vetëm që nuk morën masa efektive sinjalizuese, por mund të themi se pjesëtarët e këtyre forcave më tepër kanë qenë vëzhgues sesa forcë goditëse e parandaluese. Nga organet e rendit nuk është ndaluar asnjë person e nuk është arrestuar asnjë organizator. Nuk mund të themi se policia ka qenë e paditur për ngjarje të tilla, se edhe më parë kanë ndodhur, siç janë ngjarja e stadiumit, magazinës në sektorin e Grabianit, një klubi privat në qytet, të serave në Divjakë”.

Përsëri në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv më 02.02.1992, për policinë janë shprehur:

Esat Çoku: “Pozicioni i policisë në ngjarjet e Lushnjës ka qenë vendimtar. Në policinë e Lushnjës nuk është punuar seriozisht.”

Seit Prishta: “Ne jemi të një mendimi si komitet dhe si parti politike se shefi i policisë Banushi duhet të ikë nga Lushnja. Ai ka ngrënë e ka pirë me persona të padëshiruar. Unë e kam me ministrin që luan me këto çështje.”

Me sa duket ministri ngurronte ta shkarkonte.

Vetë shefi i policisë Banushi ankohet se sipas ligjit operacionet duhet t’i drejtonte ai, por, padrejtësisht, i drejtuan Besnik Shehu, Agim Bardhi dhe Nexhmi Zoto. Ai pretendon dhe akuzon se Besnik Shehu ka bërë kompromis me kriminelë të arrestuar, pasi ka biseduar me ministrin Vladimir Hysi, duke e liruar atë: “Nuk kuptoj, – thekson ai, – se si ndodhi që u justifikua se pistoleta e tij ishte e papërdorshme.”

Ai akuzon se personat e sipërm së bashku me kryetarin e rendit, morën frenat dhe drejtuan operacionin. Pra, sipas tij, ata janë përgjegjës për gjithçka. Seit Prishta deklaron se ka pasur, 20 ditë përpara ngjarjeve, sinjalizime për shkatërrime, madje edhe një teleks, por nuk është marrë asnjë masë parandaluese.

Largimi i ish-kryetarit të rendit, Besnik Bregu, nga Lushnja, përbën një enigmë. Policët vidhnin edhe materialet e mallrat që dorëzoheshin në polici, madje policët kanë vjedhur edhe nëpër magazina.

Kujtim Gina: “Përfaqësuesit e ministrisë erdhën për t’i organizuar ngjarjet në Lushnjë. Një ditë më përpara, kryetari i rendit në Lushnjë, Hiqmeti, më thirri në zyrë e më tha se kishte një informacion, që të nesërmen do të ndodhin shkatërrime në qytet. I kërkova të ishte i pranishëm edhe Astriti, shefi i policisë. Aty i thashë Hiqmetit troç nëse ishte në gjendje ta shkarkonte, pasi, i theksova,- ka shokë gangsterët e Lushnjës.”

Esat Çoku: “Edhe largimi i kryetarit të mëparshëm ishte i pamotivuar. Zhvillimi i ngjarjeve del se ka pasur një dorë të fshehtë që ka drejtuar gjithçka.”

Zonja dhe zotërinj!

Siç po e ndiqni, raporti ndoshta ka shumë të dhëna e fakte me dokumente e pohime, po zgjatem, por mendoj se duhen theksuar, pasi jemi në një largësi kohore prej 2-3 vjetësh nga zhvillimi i atyre ngjarjeve.

Si vepruan forcat e rendit në Pogradec? Që në fillim dua t’ju sqaroj se nga materialet e vëna në dispozicion nga këshilli i rrethit të Pogradecit nuk arritëm të nxjerrim fakte, pasi materialet nuk janë të shtypura, por janë me shkrim dore të pakuptueshëm. Të dhënat do t’i paraqesim nga takimi i zhvilluar në këshillin e rrethit atje.

Sotiraq Hambo, anëtar i këshillit të rrethit, pohon se në ngjarjet e atjeshme, rendi, në vend që të bënte mbrojtje tërhiqej.

Niko Tasellari, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv pluralist, thotë: “Rendi nuk veproi, SHIK-u jo.”

Bardhi Lipo, ish- sekretar komiteti thekson: “Rendi nuk na përfillte. Për çdo veprim që kryenim e urdhër që jepnim, rendi ua transmetonte personave për të cilët bëhej fjalë, domethënë dekonspironte. Komandanti i divizionit as që e çante kokën për ne. SHIK-u, rendi, Prokuroria nuk vepronin. Me rastin e shkatërrimeve në vreshta, megjithëse dukej hapur se kush po vidhte e shkatërronte, askush nuk u ndalua nga rendi.”

Jorgaq Proko: “Forcat e rendit nuk donin të angazhoheshin. Rendi ka pasur dijeni me kohë. Duke qenë të pranishëm te magazinat pamë se rendi nuk angazhohej.”

Zhani Treska: “Berti Poçe, është fjala për një drejtor të NFP-së, i ka kërkuar ndihmë policisë. I ka pyetur nëse e përballojnë situatën. Rendi i është përgjigjur po. Të nesërmen e datës 24.02.1992 nuk u mor asnjë masë.”

Mirash Kurti, këshilltar rrethi i PS-së: “Ky eksod ka qenë i organizuar. Rendi, SHIK-u dhe hetuesia nuk kanë zbatuar ligjet. Ata janë tërhequr pasi kanë qenë të korruptuar.”

Vladimir Kruja, Peqin, ish-magazinier: “Policia është treguar indiferente, ata po të donin mund ta ndalonin turmën.”

Gëzim Budani, inspektor SHIK-u: “Kur kanë ndodhur ngjarjet policia ka qenë e tërhequr.”

Nga gjithë sa u tha më sipër formohet ideja:

1) Rendi nuk ka vepruar gjatë vjedhjeve dhe grabitjeve të pasurisë së kooperativave bujqësore gjatë periudhës korrik-shtator-tetor 1991, gjë që ka krijuar mendësinë se mund të bësh çfarëdo e nuk të prek askush.

2) Rendi vetë ka qenë në shumë raste i korruptuar. Në rrethe të ndryshme policët kanë vjedhur vetë.

3) Në Rend janë manifestuar paaftësi e mungesë profesionalizmi që janë pranuar edhe nga vetë titullarët e Ministrisë së Rendit.

4) Rendi ka qenë i tërhequr në të gjitha rastet.

5) Veprimtaria e Ministrisë së Rendit ka qenë e dyshimtë, sidomos në Lushnjë.

Ajo çka pohohet në këtë material është pasqyruar edhe në shtypin shqiptar. Ndoshta ajo çka shkruhej nëpër gazeta do t’i ndriçojë më mirë faktet dhe konkluzionet e mësipërme.

“Zëri i popullit”, 6 gusht 1991, në artikullin me titullin “Analizë në arkivat e kooperativave bujqësore e të këshillave popullorë”, të shkruar nga Zija Çollaku, inspektor në drejtorinë e përgjithshme të Arkivave të Shtetit, flitet për vandalizma e shkatërrime në rrethin e Matit, të godinave, stallave, të dokumenteve të kooperativave bujqësore. Ndërmjet të tjerave ai thotë: “Në disa raste kanë pasur dijeni edhe organet e ruajtjes së rendit, që nuk morën masa për parandalimin e tyre.”

Në një artikull tjetër në “Zërin e popullit” me titull “Bëhen shkatërrime, po kush i bën?”, të shkruar nga Vangjel Stefa, flitet për shkatërrime dhe vjedhje në Kaninë, Poro dhe fshatra të tjerë të Vlorës.

Në paragrafin e fundit autori shkruan në lidhje me një mendësi të gabuar: “Flitet shpesh, sidomos tani, nga drejtuesit e policisë, për veprimin qytetar, për qëndrimin aktiv të opinionit. Mendojmë se kjo bëhet mendësi jo aq e kohës, nuk mbahen mirë parasysh rrethanat shoqërore të tanishme, sidomos fakti tjetër që veprimi qytetar duhet të mbështetet e të paraprihet nga veprimi i punonjësve të rendit.

Vlen të theksohet se në këtë periudhë, ngjarja e 2 prillit në Shkodër ka ndikuar që policia të tërhiqej në pozita mbrojtjeje dhe të frenohej. Me sa duket, edhe në këtë rast ka një spekulim, të induktuar te forcat e rendit nga lart, me qëllim që të neutralizohej rendi, qoftë për parandalimin e ngjarjeve, qoftë gjatë zhvillimit të ngjarjeve kur shkelej ligji.

Organet e rendit kanë qenë tejet të politizuara në kohën e diktaturës. Gjatë vitit 1991, kur ende ekzistonte dilema se kush do të fitojë, punonjësit e rendit qëndronin në mëdyshje, kujt i duhej prishur e kujt i duhej ndrequr, në raport me forcat politike.

TemA