Kryeministri Edi Rama ka reaguar për një gazetar irlandez, i cili ka ndarë disa postime nga protestat në Tiranë, duke e quajtur “klloun të propagandës ruse”.
Gazetari, Chay Bowes, është sanksionuar sot nga Bashkimi Europian për shkak të veprimtarisë së tij si “propagandist” pro-rus.
Sipas Ramës, postimet e tij për Shqipërinë lidhen me faktin se vendi iu afrua shpejt objektivit të anëtarësimit në BE.
“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia. Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.
Në një foto nga protesta, Bowes shkruan:
“Kaos në Tiranë, Shqipëri. Studentët vënë zjarre ndërsa bankat dhe ministritë digjen. Me mijëra kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.”
Në një tjetër thotë se një polic ka pësuar djegie.

Chay Bowes është gazetar irlandez dhe korrespondent i televizionit rus Russia Today. Kanali është i ndaluar brenda Bashkimit Evropian dhe konsiderohet nga Brukseli si një instrument propagandistik i shtetit rus.
Ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord të hënën për vendosjen e sanksioneve ndaj një numri individësh, të cilët konsiderohen se kanë lidhje me Moskën. Këto masa do të ngrijnë çdo pasuri financiare që ata zotërojnë brenda BE-së dhe do t’u ndalojnë udhëtimin drejt Republikës së Irlandës apo vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
Vendimi i BE-së e akuzon Bowes se ka “lehtësuar” dhe mbështetur veprimet dhe politikat e Qeverisë ruse, të cilat përbënin një kërcënim për demokracinë evropiane, përmes “manipulimit të koordinuar të informacionit dhe ndërhyrjes”.
Sipas vendimit, Bowes ka drejtuar një emision në televizionin RT me titull “Moscow Mules” dhe ka qenë bashkëthemelues i një rrjeti të veçantë pro-rus të dezinformimit, të quajtur “The Islander News”.
Irlandezi ka marrë pjesë gjithashtu në përhapjen e “dezinformimit kundër Perëndimit dhe Ukrainës” në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

