“Kryeministri kujtohet për sovranin…”?! Ministria e Integrimit reagon ndaj “fluturimit” të Tabakut: Statusi për Ramën është “fake”! Nuk përmban asgjë të vërtetë

“Kryeministri kujtohet për sovranin…”?! Ministria e Integrimit reagon ndaj  “fluturimit”  të Tabakut: Statusi për Ramën është “fake”! Nuk përmban asgjë të vërtetë

Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar pas një postimi të ripublikuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cili i atribuohej Kryeministrit Edi Rama.

MIA e ka cilësuar tekstin si të falsifikuar dhe ka mohuar që ai të jetë publikuar nga kreu i qeverisë.

Në reagimin e saj, MIA thekson se statusi i shpërndarë nga Tabaku nuk është publikuar nga Edi Rama dhe se përmbajtja e tij nuk është e vërtetë.

“Znj. Jorida Tabaku ka ripostuar një status të falsifikuar (fake), i cili i atribuohet në mënyrë të rreme Kryeministrit Edi Rama. Bëjmë me dije se ky tekst nuk është publikuar nga Kryeministri dhe nuk përmban asgjë të vërtetë. Do të ishte e udhës që znj. Tabaku ta tërhiqte ripostimin dhe t’u kërkonte ndjesë atyre që kanë rënë pre e këtij falsifikimi”, shkruan MIA.

Në postimin e ripublikuar nga Jorida Tabaku, pretendohej se Edi Rama kishte reaguar lidhur me Ligjin 21/2024 dhe kërkesën e Parlamentit Europian për shfuqizimin e tij.

Në tekstin e publikuar thuhej se socialistët kishin miratuar një ligj “antikushtetues” dhe se qeveria po përdorte idenë e referendumit për t’iu shmangur përgjegjësisë.

“Kur socialistët votuan një ligj antikushtetues, në kundërshtim me mbrojtjen e natyrës dhe integrimin europian, nuk e pyetën popullin.

Tani që Parlamenti Europian kërkon shfuqizimin e tij, Kryeministri kujtohet për sovranin dhe shpik referendumin si alibi për t’iu shmangur përgjegjësisë.

Prej më shumë se 80 ditësh, qindra mijëra shqiptarë po protestojnë dhe po kërkojnë largimin e tij. A do ta respektojë edhe këtë vullnet?

Demokracia nuk është teke dhe as instrument propagande. Parlamenti Europian nuk po kërkon “pak durim”. Po kërkon shfuqizimin e ligjit!”, thuhej në postimin e atribuar Ramës.

Në vijim, teksti pretendonte gjithashtu se prej më shumë se 80 ditësh qindra mijëra shqiptarë po protestonin dhe kërkonin largimin e Kryeministrit.

Ndërkohë, MIA sqaron se teksti i publikuar nga Tabaku nuk i përket Kryeministrit.

Në postimin që i atribuohet Ramës dhe që është kundërshtuar nga MIA, thuhej se qeveria e vlerësonte interesimin e Bashkimit Europian, por se çështja duhej t’i lihej referendumit.

“Në lidhje me kërkesën e Parlamentit Europian për shfuqizimin e Ligjit 21/2024, dua të jem i qartë:

E vlerësoj interesimin dhe kujdesin e miqve tanë në BE, por ka një lajm më të madh se çdo rezolutë: populli shqiptar ka zgjedhur rrugën e referendumit! ????????

Kjo është demokracia në veprim. Ne jemi një vend ku sovrani është populli, dhe qeveria nuk i del përpara vullnetit të tij. Prandaj, e respektojmë plotësisht këtë nismë qytetare.

Nëse më pyesin në shtator: ‘Pse nuk e keni shfuqizuar Ligjin?’, do t’u them të vërtetën shumë të thjeshtë:

Sepse populli ka vendosur që të vendosë vetë, dhe e respektoj sovranin!”, thuhej në tekst.

MIA e ka mohuar kategorikisht që ky tekst të jetë publikuar nga Edi Rama, duke e cilësuar atë si një falsifikim që i është atribuar në mënyrë të rreme Kryeministrit.