Pak para nisjes së seancës në Hagë, situata u tensionua jashtë Dhomave të Specializuara, ku janë mbledhur qindra shqiptarë në pritje të verdiktit për katër ish-krerët e UÇK-së.
Policia holandeze u kërkoi disa herë protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në parkun ku autoritetet kanë lejuar zhvillimin e protestës. Efektivët paralajmëruan se, nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdornin forcën për t’i larguar.
Paralajmërimi shkaktoi reagime nga disa prej të pranishmëve, të cilët nisën të fyenin policët holandezë, duke sjellë momente tensioni dhe përplasje verbale. Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
Në ato momente, Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), iu drejtua protestuesve me një apel për qetësi.
“S’kemi punë me policinë holandeze”, tha ai duke u kërkuar të pranishmëve të shmangin çdo përplasje me autoritetet.

