SKEDA/ Akuzat nga Haga, lufta e dytë e ish-krerëve të UÇK-së! Nga arrestimi te gjykimi, 6 vite përballje me drejtësinë

SKEDA/ Akuzat nga Haga, lufta e dytë e ish-krerëve të UÇK-së! Nga arrestimi te gjykimi, 6 vite përballje me drejtësinë

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u përballën me gjykimin për thuajse 3 vjet, por duke ndenjur për gati 6 vite në paraburgim në Hagë, që prej 2020-ës. Aktakuza e tyre u redaktua disa herë, ndërsa të katërt këmbëngulën në pafajësinë e tyre.

Thaçi u transferua në qeli në 5 nëntor 2020, 4 ditë më vonë ai dhe Jakup Krasniqi dolën në paraqitjen e parë para gjyqtarit. Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u paraqitën më 10 dhe 11 nëntor 2020.

Akuza ishte konfirmuar pak ditë më herët, më 26 tetor 2020, por ajo do të pësonte ndryshime të vazhdueshme. Versioni fillestar i aktakuzës u bë publik me redaktime, u korrigjua më 3 shtator 2021, u ndryshua përsëri më 29 prill 2022, dhe një tjetër aktakuzë e ndryshuar u depozitua më 30 shtator 2022. Më 27 shkurt 2023 u dorëzua një version më pak i redaktuar, i cili mbeti aktakuza operative për gjykimin.

Të katër konsiderohen përgjegjës për 6 episode krimesh kundër njerëzimit, persekutim, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me force, si dhe për katër raste krimesh lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Krimet sipas prokurorëve janë kryer nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe në Kukës e Cahan në Veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon për një sulm të gjerë dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë serbë, romë, ashkali, katolikë, shqiptarë të lidhur ose të dyshuar si të lidhur me autoritetet serbe, shqiptarë të lidhur me LDK-në dhe persona të tjerë që nuk iu bashkuan ose nuk e mbështetën UÇK-në.

Akuza thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi i kanë kryer veprat penale në ngarkim, në bazë të rolit të tyre në UÇK.

Gjykimi do të hapej pas gati 3 vitesh, më 3 prill 2023. Akuza paraqiti 125 dëshmitarë në sallë, shumë prej të cilëve dëshmuan në seanca të mbyllura.

Në 9 shkurt të këtij viti, në një zhvillim tronditës, akuza kërkoi nga 45 vite burg për secilin prej ish krerëve të Uçk.

Fjalën e kishte tashmë mbrojtja, e bazuar kryesisht në faktin se nuk kishte prova të drejtpërdrejta që Thaçi kishte urdhëruar kryerjen e krimeve ose se kishte marrë raporte për to.

Më 15 shtator 2026, në mbështetje të Hashim Thaçit dëshmoi James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënës i DASH gjatë luftës në Kosovë.

Për tri ditë, thelbi i dëshmisë së tij, lidhej me faktin se Thaçi, ishte më shumë një përfaqësues politik.

“Thaçi nuk kishte autoritet apo mundësi për të diktuar asgjë. Nuk ishte Thaçi që u thoshte komandantëve çfarë të bënin; ishin komandantët që i thoshin atij çfarë të bënte”, dëshmoi Rubin.

Më 17 nëntor 2025 në sallën e gjyqit hyri dëshmitari i fundit në mbrojtje të Thaçit: gjenerali amerikan në pension Uesli Clark, ish-Komandanti Suprem i NATO-s për Europën gjatë luftës së Kosovës.

Mesazhi qendror i Clark ishte se UÇK-ja, nuk kishte një strukturë të konsoliduar ushtarake me një zinxhir komandimi që i jepte Thaçit kontroll operacional mbi njësitë në terren.

“Nuk kishte shumë për të thënë për sa i përket strukturës. Me sa dinim, ishin grupe lokale që ishin krijuar pak a shumë spontanisht”, dëshmoi Clark.

Pretendimet për trafik organesh Clark i cilësoi informacione të rreme dezinformuese. Pas gati tre vitesh gjykim, më 18 shkurt 2026, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi folën vetë para trupit gjykues duke I dhënë fund deklaratave përmbyllëse.

“Ka vetëm një të vërtetë. Jam plotësisht i pafajshëm. Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998, unë isha student në Zyrih. Zgjodha të kthehem në Kosovë pasi kisha parë dhunën në Kosovë dhe nuk jam penduar për atë vendim. Armiku im i vetëm ishte Slobodan Millosheviçi”, tha Haçi.

Por procesi ndaj ish krerëve të UÇK nuk u zhvillua vetëm brenda sallës së gjyqit. Në protesta të ndryshme në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë dhe Strasburg, mijëra mbështetës kërkuan lirimin e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe një vendim të drejtë për çlirimtarët.

Procesi në Hagë përfshiu edhe politikën në Shqipëri, Kosovë e Serbi, ndërsa veprimi kulmor ishte ai i kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili i kërkoi ndërhyrje Donald Trumpit, njeriut më të fuqishëm në botë në ndihmë të Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK.

Gjyqi ndaj ish krerëve të UÇK në Hagë erdhi në fund, pas 28 vendimeve për rishikimin e paraburgimit të Thaçit, 27 për Veselin dhe Krasniqin dhe 26 për Selimin, pas 234 ditësh gjyq, 134 dëshmitarësh, qindra dëshmish me shkrim dhe më shumë se tre vitesh seanca publike, dhe mbi të gjitha, pas 70 javësh qëndrim në qeli të çlirimtarëve. / Nga Arlind Isa