Kur nxënësit e gjimnazit Qemal Stafa hynin në shkollë në ditën e parë, një grup i vogël protestuesish i bënë thirrje nga trotuari të bojkotonin mësimin e të bashkoheshin me ta në tubim. Policia arrestoi 12 prej tyre, për nxitje të të miturve në krim, përfshirë organizatorë të protestës anti-qeveritare, ndërsa 15 të tjerë po hetohen të lirë.
Thirrjet publike në rrjetet sociale për të bllokuar rrugët dhe institucionet që në 07.00 të mëngjesit, në ditën e parë të nisjes së shkollës në Tiranë, i kushtuan prangat, njërit prej organizatorëve kryesore të protestave anti-qeveritare, Visuar Dalipit, dhe një përfaqësuesi të Diasporës, Artan Daci.
Dyshja, janë mes 12 personave që policia arrestoi pasi cenuan perimetrin e sigurisë në shkolla, teksa u grumbulluan para gjimnazit” Qemal Stafa” në një marshim nga qendra drejt Zogut të Zi
“Një grup ndaluan pranë gjimnazit duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin”, njoftoi zyrtarisht policia
Për këto thirrje, policia i ka referuar në prokurori për veprën penale, “shtyrje e të miturve në krim”
Për tubimin, asnjë njoftim në polici, e rrjedhimisht pa masa të ndërmarra për mbarëvajtjen e saj. Me një trafik të rënduar, siç është në nisjen e vitit shkollor, blutë e kryeqytetit ndërhynë për lirimin e qarkullimit.
Policia thotë se thirrjet për tu larguar nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për të liruar trotuarin për kalimin e qytetarëve, ishin të vazhdueshme, por protestuesit i injoruan, ndërsa një pjesë kundërshtuan forcat blu edhe gjatë momenteve të shoqërimit.
15 pjesëmarrës në tubimin e paligjshëm po hetohen në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe një grua 32 vjeçare
Një incident gjatë shoqërimeve, si ky i një efektivi të Shqiponjave që godet në barkë një protestues të ndaluar nga blutë, solli reagimin e kryepolicit Skënder Hita, i cili pezulloi policin dhe urdhëroi nisjen e një hetimi administrativ
Të arrestuarit:
Visuar Dalipi
Ermelind Kuka
Dorjan Balla
Artan Daci
Ervis Beqaj,
Ramazan Dauti
Bekim Imeraj
Axhim Micalliu
Aleandro Ahmetsulaj
Ridvan Kamberi
Klodian Bajrami
Enrik Xhemalaj
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 14.09.2026:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. B., 32 vjeçe; B. K., 27 vjeç; A. Zh., 26 vjeç; S. E., 32 vjeç; M. R., 28 vjeç; A. P., 49 vjeç; L. B., 39 vjeç; K. N., 20 vjeç; F. K., 34 vjeç; E. N., 33 vjeç, A. D., 23 vjeç, E. P., 31 vjeç, L. P., 26 vjeç, M. P., 18 vjeç, dhe I. M., 28 vjeç.
Më datë 14.09.2026, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse, dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.
Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për largimin nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për lirmin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve në tubim nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.

