HomeBlog

Lumi Vjosa jashtë skemës së prodhimit të energjisë elektrike !

Lumi Vjosa jashtë skemës së prodhimit të energjisë elektrike !

Nga Musa Kurtulaj

– Një vendim që në një të ardhme jo të largët mund të jetë shumë i kritikueshëm –

-Shqipëria nuk e ka luksin të konservojë burimet e rëndësishme natyrore dhe të mos i vëjë ato në dispozicion të projekteve të zhvillimit të vëndit –

Paralelisht me ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin shumë dekada më parë, specialistët shqiptarë të energjetikës kishin hedhur idenë që një hidrocentral i madh të ndërtohej edhe në lumin Vjosë. Kjo ide është përmendur dhe diskutuar në qindra raste nga ekspertë të fushës, deri në vitin 2023, kur Qeveria vendosi që në Vjosë të mos ndërtohej asnjë hidrocentral dhe lumi të ruhej si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë.

Ky vendim erdhi pas presionit të vazhdueshëm të organizatave mjedisore brenda dhe jashtë vendit, të cilat kërkuan që Vjosa të shpallej Park Natyror dhe të mbrohej nga çdo ndërhyrje e madhe infrastrukturore. Në këtë mënyrë, u hodh poshtë një projekt që, sipas shumë specialistëve, do të kishte sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike dhe energjetike për Shqipërinë.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ndërsa hidrocentralet e kaskadës së Drinit prodhojnë mesatarisht rreth 6 miliardë kilovat-orë energji elektrike në vit, hidrocentrali i planifikuar në lumin Vjosë pritej të prodhonte rreth 3 miliardë kilovat-orë në vit. Kjo do ta çonte prodhimin vendas në afro 9 miliardë kilovat-orë energji elektrike në vit, ndërkohë që konsumi vjetor i Shqipërisë llogaritet rreth 8 miliardë kilovat-orë.
Me fjalë të tjera, vendi jo vetëm që do të mbulonte plotësisht nevojat e veta energjetike, por do të kishte mundësi të eksportonte energji ose të paktën të shmangte importet e kushtueshme që rëndojnë çdo vit buxhetin e shtetit dhe xhepat e qytetarëve.

Një nga figurat më të njohura të energjetikës shqiptare, Emin Musliu, i konsideruar nga shumëkush si “babai i hidrocentraleve shqiptare”, e ka cilësuar të gabuar anulimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit në Vjosë. Sipas tij, një projekt i tillë mund të realizohej pa dëmtuar vlerat natyrore të zonës dhe madje do të sillte përfitime shtesë për menaxhimin e saj.
Përvoja e lumit Drin është një shembull domethënës. Ndërtimi i hidrocentraleve nuk e shkatërroi lumin; përkundrazi, krijoi tre liqene të mëdha artificiale – Fierzën, Komanin dhe Vau-Dejësin – të cilat sot përbëjnë pasuri të rëndësishme ekonomike, turistike dhe mjedisore. Po ashtu, kaskada e Drinit ka luajtur një rol të rëndësishëm në kontrollin dhe minimizimin e përmbytjeve.
Ndërkohë shtrohet pyetja: çfarë përfiton Shqipëria nga mosshfrytëzimi energjetik i Vjosës? Asgjë !Përveç ruajtjes së statusit të saj natyror, lumi vazhdon të shkaktojë përmbytje në periudha të caktuara të vitit, ndërsa vendi mbetet i detyruar të importojë energji elektrike sa herë që prodhimi vendas bie për shkak të thatësirave ose faktorëve të tjerë.

Mbrojtja e mjedisit është një objektiv i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për çdo shoqëri moderne. Megjithatë, zhvillimi ekonomik dhe siguria energjetike janë po aq jetike. Sfida e vërtetë nuk është zgjedhja mes natyrës dhe zhvillimit, por gjetja e një ekuilibri të arsyeshëm mes tyre.
Shqipëria është një vend i pasur me burime natyrore, por edhe me nevoja të mëdha zhvillimi. Burimet ujore, kur shfrytëzohen me standarde moderne dhe me kujdes ndaj mjedisit, mund të kthehen në motorë të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare. Për këtë arsye, nuk është e pamundur që në të ardhmen vendimi qeveritar i vitit 2023 për ta lënë Vjosën jashtë skemës së prodhimit të energjisë elektrike të cilësohet si një mundësi potenciale e humbur për zhvillimin energjetik të vendit.

Koha do të tregojë nëse ruajtja e Vjosës si lum i egër ishte zgjedhja më e mençur, apo nëse Shqipëria hoqi dorë nga një potencial strategjik që mund t’i kishte garantuar më shumë siguri energjetike dhe më pak varësi nga importet.