Në më shumë se tre dekada histori gjatë demokracisë të Shërbimit Inteligjent Shqiptar, të paktën katër drejtues të SHIK/SHISH janë përballur në periudha të ndryshme me hetime, procedime penale ose masa sigurie.
Rasti më i fundit është ai i drejtoreshës së shkarkuar të SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të një hetimi të SPAK që lidhet me dosjen e AKSHI-t.
Por le t’i marrim me radhë rastet kur drejtuesit kryesor të inteligjencës janë përballur me hetime, apo procedime. Gazetarja Aranita Brahaj ka publikuar rastet e katër drejtuesve të SHIK/SHISH.
SPAK i preu urdhër arrestin, dorëzohet në Morinë ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni
22 Shtator, 20:01
IRAKLI KOÇOLLARI – Drejtuesi i parë i SHIK-ut (1991–1992)
Në mars 1996 u arrestua së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Vladimir Hysi, në çështjen e asgjësimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Nuk bëhej fjalë për dokumente të zakonshme administrative. Bëhej fjalë për dokumentacion të shërbimit sekret të regjimit komunist: materiale që lidhen me ndjekjen, survejimin dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës. Raportimet e kohës flasin për dhjetëra mijëra dokumente të zhdukura.
Koçollari u dënua me 6 vite burg, ndërsa Vladimir Hysi me 18 muaj. Koçollari doli nga burgu në vitin 1997 (trazirat dhe amnistia).
Shkatërrimi i një pjese të këtij dokumentacioni nënkuptonte humbjen e burimeve të pazëvendësueshme për dokumentimin e historisë së Diktaturës Komuniste, Sigurimit të Shtetit dhe të represionit komunist.
BASHKIM GAZIDEDE – Drejtues i SHIK-ut (1992–1997)
Në vitin 1998 ndaj tij u ngritën akuza shumë të rënda në lidhje me ngjarjet e vitit 1997, ndër to gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, si edhe akuza të tjera të lidhura me detyrën.
Më 21 gusht 1998, prokurori Aleksandër Goga nxori urdhër arrestin ndaj Gazidedes. Më pas Prokuroria ndërmori hapat për ekstradimin e tij dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Hetimi zgjati rreth pesë vjet dhe në korrik 2003 akuzat ndaj Gazidedes u pushuan. Këto akuza nuk u provuan në një proces gjyqësor penal me vendim fajësie ndaj Gazidedes dhe ai nuk pati dënim penal të formës së prerë për to kur gjykatat ishin banda që dirigjoheshin nga Berisha
FATOS KLOSI – Drejtues i SHISH-it (1997–2002)
Në nëntor 2002 u procedua për shpërdorim detyre, lidhur me administrimin e rreth 600 milionë lekëve dëm ekonomik të pretenduar. Në përfundim të hetimit, Prokuroria kërkoi dënimin me 1 milion lekë gjobë. Gjykata e Tiranës, më 1 qershor 2004, e shpalli të pafajshëm.
VLORA HYSENI – Drejtuese e SHISH-it (2023 – 22 shtator 2026)
Më 22 shtator 2026 ndaj saj u caktua masa “arrest në shtëpi” dhe u pezullua nga detyra.

