Shefi i Krimeve të Vlorës ka humbur jetën në një aksident ndërsa udhëtonte nga Fieri drejt qytetit ku shërben. Aksidenti i rëndë ndodhi në autostradë, në afërsi të Novoselës, ku makina tip ‘Toyota’ e Ermal Lulajt u përplas me një skrep që ndodhej në lëvizje.
Dyshohet se automjeti i rëndë ka qenë pa sinjalistikë në pjesën e pasme. I plagosur ka mbetur edhe 63-vjeçari Thanas Poçaj, drejtues i skrepit që ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Efektivi, rreth të 40-ave, më herët ka shërbyer si shef i Antidrogës. Ai është baba i dy fëmijëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Ndërkohë, situata në këtë aks të rrugës vijon të jetë e rënduar.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë.
Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.

