Muli kërkon ta shpëtojë protestën nga protestuesit e diasporës

Muli kërkon ta shpëtojë protestën nga protestuesit e diasporës

Njoftimet se diaspora do t’i bashkohej protestës më datën 14 dhe do bëhej nami, e bënë shumë kurioz Mulin. Po kur pa pjesëmarrjen dhe cilësinë e saj, u qetësua.

-Kam një kuriozitet, i tha Lelos. Si shpjegohet që në fillim, një javë, protesta ishte dhe e madhe dhe pa diasporën dhe pa të çmendur? Pastaj ra si me thikë se të çmendurit iu ngjitën në tribunë. Tani dhe kjo pjesë e diasporës që vjen janë të çmendur si këta të tribunës? Ka ndonjë shpjegim?

-Ka, i tha Lelo. Siç thotë populli, sheh fiku fikun e piqet. Tani këta kanë 70 ditë në tribunë. Diaspora i shikon këta dhe automatikisht dërgon të ngjashmit. Nuk ka ndonjë çudi këtu. Secili gjen të ngjashmit e vet.

-Se këta kanë dhe të keqen që flasin, tha Muli, se po të mos flisnin, ndoshta do mendonim se diçka dinë dhe këta.

-E po ata për atë të folur kanë marrë rrugën nga ana e anës, i tha Lelo. Po ua mohove dhe atë, i bëre armiq.

-Po aq sa ishin ata nga diaspora, unë i mbledh në një bilbil nga Bathorja, tha Muli. Dhe llafosin shumë herë më mirë se ata.

-Tani nuk ka rëndësi përbërja e protestës, as sasia, tha Lelo. Rëndësi ka që ata 40 vetë që e drejtojnë ia kanë parë hajrin, paguhen mirë dhe ndihen në pushtet. Të tjerat nuk kanë rëndësi për ta.

Ata tani janë në dispozicion për çdo të pakënaqur. I japin mikrofonin, flet dhe ikën. Aq e kanë ditën e punës.

-Domethënë ti thua që ata ua kanë dhënë protestën me qira të çmendurve?

-Jo, jo, pa lek ua kanë vënë në dispozicion. Ata si grup tani e kanë biznes dhe kjo është arsyeja që nuk do ikin nga sheshi. Ndaj duhet të fillojmë protestën tonë e t’i zbojmë andej. Ne të paktën nuk marrim lek kur shajmë njeri në protestë. Ata e kanë me listëpagesë.