Muli vendosi ta niste ditën me një negociatë me hapiqistat. I kërkoi Lelos të takonte një përfaqësi të tyre.
Biseda u përqendrua te hyrja e grupit të deputetëve të PD-së në Kuvend.
Hapiqistat kishin blerë dy kosha me vezë dhe ishin vendosur të qëllonin.
Muli u kërkoi një pakt.
– Dua që asnjë deputet i PD-së të mos qëllohet me vezë, – u tha. – Nëse kjo ndodh, do të keni kundërpërgjigje.
Na keni fyer, s’u kam thënë gjë. Keni thënë “Berisha në burg”, s’u kam thënë gjë. Por tek veza nuk durojmë dot. Po qëlluat me vezë, do t’ju përgjigjemi.
– Veza është simbol i revolucionit “Hapiqi”, – tha përfaqësuesi i parë. – Se veza edhe hahet, edhe pihet, edhe… ihet, pasi prej saj del zogu. Nuk mund të na heqësh armën kryesore, simbol të revolucionit.
– Nuk thashë t’jua heq, – tha Muli. – Thashë të mos e përdorni kundër nesh, se ne jemi aleatë. Ne kemi simbol molotovin, ju vezën. Molotovi as hahet, as pihet, por ama të djeg nëse të bie në kokë.
– Shumë nga pjesëtarët hapiqista nuk i njohin për fytyrë deputetët tuaj dhe mund t’i qëllojnë gabimisht, – i tha hapiqisti i dytë.
– Dakord, – tha Muli. – Do t’i porosis që ata t’ju përshëndesin me dy gishta dhe ju i kuptoni.
– Kështu po, – tha hapiqisti i parë. – Kështu nuk ngatërrohemi.
– Atëherë, nëse biem dakord, ne do të shkojmë në seancë, – tha Muli, – dhe ju duhet të sulmoni vetëm këta të PS-së. Por edhe ata jo të gjithë. Do t’ju jap unë një listë, se jo të gjithë janë të këqij aty.

