Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-ë në Elbasan foli për ndikimin e opozitës në procesin e anëtarësimit në BE.
Rama u shpreh se opozita është “një katastrofë ambulate”, teksa shtoi se nëse 9 mandate do t’i përkisnin atyre negociatat për anëtarësimin në BE do të ishin bllokuar.
“Në ndërkohë që, nga ana tjetër vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe pastaj edhe me një energji që mund ta pengojë në këtë rrugë dhe këtu nuk është çështja e aritmetikës, nuk është çështja as se ne e kemi përpara zgjedhje, se ne nuk kemi përpara zgjedhje përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore, por ato kanë rëndësinë e tyre, ama nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh, por nuk duhet që kjo atmosferë të vërë në pikëpyetje motivimin dhe përgjegjësinë, peshën e përgjegjësisë tek secili prej nesh, është shumë e rëndësishme kjo gjë. Dhe prandaj unë kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë shumë më tepër për çështjet e mëdha politike dhe çështjet e mëdha shoqërore. Ndërkohë që, ne duhet të flasim me të gjithë, pse duhet të jenë krenarë që janë pjesë e kësaj familje politike. Përtej situatave personale, se jo të gjithë kanë situata personale pozitive, mund të ketë njerëz dhe ka patjetër që kanë situata negative, por përtej kësaj”.
“Dhe për këtë arsye Partia Socialiste duhet të motivohet fort dhe duhet ta ndjejë shumë fort përgjegjësinë që të mbajë mbi shpatulla këtë proces. Pse? Se u lemeris dynjaja! “U bllokuan negociatat”, “u bllokuan negociatat”, “u bllokuan negociatat”, “u bllokuan negociatat”, “doli Gjermania, hyri Gjermania”. Si bëhet shpjegimi? Shpjegimi bëhet në radhë të parë ne duke folur me ju dhe pastaj ju duke folur me ata, me të gjithë. Sepse njerëzit e kanë në qendër të vëmendjes këtë çështje, sepse duan që ne ta realizojmë atë për të cilën na dhanë të gjithë atë mbështetje. Ta bëjmë realitet pasaportën e Bashkimit Europian për çdo shqiptar. Atëherë që të bëhet kjo na duhet forcë. Kur unë thosha na duhet një mandat i fortë, thoshin ky do të bëhet si Putini!”
“Por ja ku jemi sot në fund të janarit ne kemi kaluar 27 ligje mos gabohem që ishin një paketë që ishte vetëm për negociatat, sepse ne i kemi në tavolinë të gjitha detyrat. Janë pafund edhe thotë “deri në këtë muaj duhet të kaloni këto ligje, deri në atë muaj duhet të kaloni këto masa, deri në atë muaj…”. Dhe të gjitha këto janë për të përputhur legjislacionin me standardet e Bashkimit Europian. Nga këto 27, 7 ishin me 84 vota. Tani e përfytyroni ju sikur ne të kishim 75 edhe të tjerat kishin molotovarët se ku do ishim sot ne? Atëherë po, do na ishin bllokuar negociatat, sepse do na ishte bllokuar parlamenti jo me muskuj por me buzëqeshje duke thënë, “po më ne u japim votat juve patjetër, ne duam të shkojmë bashkë në Europë, por duhet njëherë të tërhiqet narko-regjimi, duhet të iki Edi Rama, duhet të mos ta ketë Partia Socialiste qeverinë, të bëjmë një gjë të përbashkët”, e bla bla bla e bla bla bla dhe ne do ishim në një situatë, do vinim vërdallë si ajo shprehja që thotë duke i gjëmu bishtit tonë. Prandaj duheshin ato vota! Prandaj unë insistoja që na duhet, na duhet, na duhet dhe prandaj ne duhet t’i puthim duart të gjithë atyre që na i dhanë ato vota, jo për këto karrige, po për atë forcë që ato vota kanë në Parlament, që ne t’i realizojmë negociatat”, tha Rama.
Top Channel

