Një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, bashkëshortja e tij, Selvija, e ka kujtuar me një dedikim emocionues në rrjetet sociale.
Përmes disa fjalëve të ndjera, ajo ka shprehur mallin për bashkëshortin, duke u ndalur veçanërisht te djali i tyre, Roeli, i cili po rritet pa praninë e të atit.
“Ka mungesa që nuk i mbush as koha, as fjalët. E jotja është një prej tyre”, shkruan Selvija, duke rrëfyer se jeta mori një drejtim që familja nuk e kishte imagjinuar.
Ajo shprehet se do të dëshironte që Shpati të ishte pranë tyre për të parë të birin teksa rritet, të dëgjonte zërin e tij, të qeshte me të dhe të përjetonte momentet që nuk patën mundësi t’i ndanin së bashku.
Selvija premton se do të kujdeset që Roeli ta njohë gjithmonë të atin përmes kujtimeve, muzikës, buzëqeshjes dhe dashurisë që ai kishte për të.
Ndërkohë, familja Kasapi ka njoftuar se më 29 nëntor, në orën 18:00, në Pallatin e Kulturës në Tetovë, do të organizohet një mbrëmje përkujtimore në nder të këngëtarit, ku do të kujtohen jeta dhe vepra e tij artistike.
Një përkujtim për artistin, muzikën dhe njeriun që la pas, por edhe për një baba që do të mbetet gjithmonë i pranishëm në kujtimet e të birit.

