Në kuadër të një procesi për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, Prokuroria shqiptare ka dhënë pëlqimin për përfshirjen në aktet e dosjes të raportit teknik të hartuar nga eksperti i informatikës forenzike i palës mbrojtëse, Antonio Andrea Miriello, si dhe për dëgjimin e tij gjatë shqyrtimit gjyqësor. Objekt i ekspertizës janë autenticiteti dhe integriteti i bisedave të nxjerra nga platforma SkyECC, mbi të cilat mbështetet e gjithë akuza. Dëgjimi i ekspertit do të zhvillohet në sallën e gjyqit me përkthim simultan.
Beteja për bisedat e koduara
Që prej marsit të vitit 2021, kur autoritetet gjyqësore të Belgjikës, Francës dhe Holandës mbyllën platformën SkyECC, duke siguruar një sasi të jashtëzakonshme bisedash të shkëmbyera nga rreth 170 mijë përdorues në mbarë botën, provat digjitale të përftuara në këtë mënyrë janë vënë në qendër të qindra proceseve penale në juridiksione të ndryshme.
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga palët mbrojtëse lidhet me mundësinë për të verifikuar mënyrën se si këto të dhëna janë mbledhur, deshifruar dhe atribuar të pandehurve individualë, nëpërmjet aksesit në të dhënat e papërpunuara dhe angazhimit të ekspertëve të tyre të informatikës.
Në Shqipëri, sipas informacioneve të raportuara lidhur me këtë proces gjyqësor, për katër vjet çdo kërkesë e mbrojtjes për paraqitjen e dokumentacionit teknik mbi provat e SkyECC ishte refuzuar ose shpërfillur. Deri më sot.
Raporti teknik i Miriellos
Raporti i pranuar nga Gjykata e Tiranës ngre disa çështje thelbësore: zinxhirin e ruajtjes së të dhënave, të cilat kanë kaluar nëpër serverë në vende të ndryshme dhe u janë nënshtruar proceseve të deshifrimit nga organe të treta; mënyrën teknike se si bisedat janë nxjerrë dhe rindërtuar, si dhe mundësinë e atribuimit të tyre përdoruesve individualë të pajisjeve.
Në Tiranë, pala mbrojtëse, e përfaqësuar nga studioja ligjore Shehu & Partners, ka arritur që një ekspert të bëhet pjesë e procesit gjyqësor dhe t’u përgjigjet pyetjeve të të gjitha palëve lidhur me atë që këto të dhëna përfaqësojnë realisht.
Ky përbën një hap domethënës në drejtim të shqyrtimit kontradiktor të provave teknike, por që nuk paragjykon asnjë vlerësim të Gjykatës mbi autenticitetin e bisedave.
Precedenti kalabrez i procesit “Ostro”
Çështja e garancive të së drejtës së mbrojtjes në përdorimin e bisedave të SkyECC ka qenë në qendër edhe të procesit “Ostro”, që buroi nga hetimet e Drejtorisë së Antimafies së Katanzaros mbi trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Siç ka raportuar gjatë javëve të fundit gazeta Corriere della Calabria, gjyqtarja e seancës paraprake, Gilda Danila Romano, i ka shpallur të papërdorshme si prova bisedat e siguruara nga autoritetet franceze, duke pranuar kundërshtimet e ngritura nga avokatët Vincenzo Sorgiovanni dhe Giuseppe Gervasi lidhur me të drejtën e të pandehurve për të kundërshtuar provat dhe efektivitetin e mbrojtjes gjyqësore.
Një çështje që është ndjekur me vëmendje edhe në Shqipëri. Në gushtin e kaluar, e njëjta studio ligjore, Shehu & Partners, i kishte kushtuar një analizë të hollësishme vendimit të Gjykatës së Kasacionit të Italisë, pikërisht në lidhje me procesin “Ostro”.
Dy çështje gjyqësore të ndryshme, por që kanë të përbashkët mundësinë konkrete të palëve mbrojtëse për t’iu nënshtruar verifikimit provat digjitale të siguruara përmes SkyECC. /Corriere della Calabria

