Nga Greta Allushi – PR & Engagement Outreach of Infinitron
Teknologjia, inovacioni dhe një koleg jo fort i zakonshëm.
INFINITRON sjell një qasje ndryshe ndaj mjedisit të punës, duke mirëpritur në ekip një Labrador që ka një mision të veçantë: të përmirësojë atmosferën në zyrë.
Në një kohë kur kompanitë teknologjike po investojnë gjithnjë e më shumë në mirëqenien e punonjësve dhe krijimin e mjediseve të shëndetshme të punës, INFINITRON zgjedh një mënyrë disi të pazakontë për t’i dhënë një tjetër dimension kulturës së saj organizative.
Anëtari më i ri i ekipit quhet Lapo dhe ai është një Labrador me ngjyrë çokollate që mban titullin simbolik Enthusiastic Officer.
Ndryshe nga kolegët e tij, Lapo nuk merret me programim, nuk zhvillon platforma digjitale dhe nuk merr pjesë në vendimmarrje strategjike.
Megjithatë, kontributi i tij në përditshmërinë e zyrës mund të jetë po aq i rëndësishëm: krijimi i një atmosfere pozitive dhe reduktimi i stresit. Mirëqenia duhet të bëhet pjesë e kulturës së punës.
Prania e kafshëve shtëpiake në ambientet profesionale është një praktikë që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtarisht, veçanërisht në sektorët kreativë dhe teknologjikë.
Studime mbi ndërveprimin mes njerëzve dhe kafshëve sugjerojnë se kontakti me qentë mund të ndihmojë në uljen e stresit, përmirësimin e humorit dhe nxitjen e ndërveprimeve sociale.
Në këtë kontekst, prania e Lapos në INFINITRON nuk është thjesht një detaj simpatik i përditshmërisë, por edhe një mënyrë për të promovuar një kulturë pune më njerëzore, ku produktiviteti dhe mirëqenia nuk shihen si dy objektiva të ndarë.
Një koleg që nuk njeh afate, por njeh mirë humorin e ekipit.
Në një industri ku ritmi i zhvillimit është i shpejtë dhe përqendrimi kërkohet vazhdimisht, ndonjëherë mjaftojnë disa minuta shkëputje për të rifituar energjinë.
Lapo duket se e ka kuptuar këtë pa pasur nevojë për trajnime profesionale. Me një përshëndetje entuziaste, një shëtitje mes tavolinave apo thjesht duke qëndruar pranë kolegëve, ai sjell një moment qetësie në mes të ditës së punës.
Për INFINITRON, një kompani që synon të zhvillojë zgjidhje teknologjike për nevojat reale të bizneseve, inovacioni nuk kufizohet vetëm te produktet dhe shërbimet digjitale.
Ai reflektohet edhe në mënyrën se si ndërtohet ekipi, si zhvillohet bashkëpunimi dhe si krijohet një mjedis ku njerëzit ndihen mirë.
Lapo është një shembull i vogël, por domethënës, i kësaj filozofie.
Sepse, në fund të fundit, edhe në një kompani ku e ardhmja ndërtohet përmes teknologjisë, ndonjëherë gjëja më e mirë për një ditë të ngarkuar pune nuk është një algoritëm i ri, por një mik me katër putra.
Dhe nëse ka një punonjës që nuk rrezikon të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale, me shumë gjasë është Lapo.

