José Mourinho ka folur gjerësisht për situatën aktuale te Real Madridi, në një intervistë me Josep Pedrerol në “El Chiringuito”, duke prekur disa prej temave më të diskutuara rreth klubit madrilen.
Trajneri portugez, i rikthyer në drejtimin e Real Madridit pas 13 vitesh, foli për ndryshimin e tij si trajner, atmosferën në dhomën e zhveshjes, Kylian Mbappén, Vinicius Junior, largimin e Rodrigos dhe madje edhe për çështjen “Negreira”.
“Jam më i pjekur dhe më i kontrolluar”
Mourinho pranoi se pas 13 vitesh është një trajner dhe njeri ndryshe, por theksoi se karakteri i tij nuk ka ndryshuar në thelb.
“Kam të njëjtën ADN. Nuk mund të fshihem ose të përpiqem të jem diçka që nuk jam. Jam shumë më i pjekur, më pak emocional dhe më i kontrolluar. Gjithmonë mësoj nga gabimet e mia”, tha ai.
Portugezi shtoi se përvoja është një prej faktorëve kryesorë që e bën një trajner më të mirë.
“Sa më shumë përvojë të kemi, aq më shumë déjà vu kemi dhe aq më të mirë bëhemi”, u shpreh Mourinho.
“Kjo dhomë zhveshjeje është e etur për të fituar”
Mourinho u ndal edhe te situata në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, duke mohuar se ka hasur probleme serioze me lojtarët.
“Kam gjetur një dhomë zhveshjeje që është vërtet e etur për të fituar. Është e hapur ndaj logjikës së shëndoshë”, deklaroi ai.
Sipas tij, deri tani lojtarët kanë treguar sjellje të shkëlqyer dhe nuk ka pasur nevojë që ai të përdorë anën e tij më agresive si trajner.
“Deri më tani, nuk kam pasur asnjë situatë ku më është dashur të jem lideri agresiv që mund të jem. Ata më kanë mbrojtur nga ajo anë e vetes”, tha Mourinho.
Ai theksoi se kërkesat e tij ndaj lojtarëve janë kryesisht të lidhura me disiplinën dhe profesionalizmin: ardhjen në kohë në stërvitje, ushqimin e kontrolluar dhe punën në palestër për parandalimin e dëmtimeve.
Mourinho: “Mbappé është i pabesueshëm”
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua Kylian Mbappés.
Mourinho e vlerësoi maksimalisht sulmuesin francez, duke thënë se ai është në një nivel tjetër.
“Mbappé është i pabesueshëm. Ndonjëherë më bën të qesh gjatë stërvitjes. Është thjesht shumë i mirë. Është në një nivel tjetër”, tha ai.
Trajneri portugez preferoi të mos analizonte sezonin e kaluar të Mbappés, duke argumentuar se tani duhet parë se çfarë mund të bëjë sulmuesi në sezonin e ri.
Mourinho zbuloi gjithashtu se Mbappé ishte paraqitur më herët në stërvitje nga sa kërkohej.
“Një djalë që mund të kishte ardhur më 14 gusht, por erdhi më 12, më tregon diçka. Ai dëshiron të jetë gati për të luajtur”, tha Mourinho.
“Për mua, merkatoja është mbyllur”
I pyetur nëse Real Madridi ka nevojë për përforcime të tjera, Mourinho ishte i qartë.
“Jo. Më pëlqen shumë skuadra që kemi”, u shpreh ai.
Edhe pse merkatoja mbetet zyrtarisht e hapur, Mourinho la të kuptohet se nga këndvështrimi i tij skuadra është e kompletuar.
“Nuk po them se nuk do të ketë më transferime, sepse merkatoja është e hapur. Por nëse më pyet drejtpërdrejt nëse për mua është mbyllur, po, është mbyllur”, tha ai.
Mourinho foli edhe për largimin e Rodrigos, i cili ishte objektiv i Real Madridit, por përfundoi në një tjetër klub.
“Jo, nuk më mungon Rodrigo. Ne kemi zgjidhje, kemi cilësi dhe kemi lojtarë që mund t’i zhvillojmë”, deklaroi trajneri.
Sipas Mourinhos, Real Madridi i kishte bërë lojtarit një ofertë të rëndësishme, por hezitimi i tij krijoi dyshime.
“Real Madridi është një klub me një status që nuk mund të ketë lojtarë që mendojnë dy herë për të ardhur këtu”, tha ai.
Mourinho zbulon çfarë i tha Viniciusit
Një prej pjesëve më interesante të intervistës ishte ajo për Vinicius Junior.
Mourinho tregoi se ka folur me brazilianin gjatë periudhës së rinovimit të kontratës dhe i ka këshilluar të mos largohet nga Real Madridi.
“Vini, ku do të shkosh? Ke qenë vetëm në Brazil dhe njeh vetëm Real Madridin. Real Madridin e kupton vërtet vetëm kur largohesh. Mos u largo. Nuk ia vlen”, kujtoi Mourinho fjalët që i kishte thënë brazilianit.
Trajneri portugez e përshkroi Viniciusin si një prej lojtarëve që i japin energji skuadrës. “Është një tjetër motor që është kënaqësi ta shikosh duke punuar. Kemi shumë cilësi”, tha ai
“Duhet ta mbrojnë Viniciusin”
Mourinho foli edhe për kritikat dhe fishkëllimat që Vinicius ka marrë në stadiume të ndryshme.
Sipas tij, problemi nuk është vetëm te sjellja e brazilianit, por edhe te mënyra se si ai trajtohet nga tifozët dhe gjyqtarët.
“Njerëzit duhet të mësojnë si ta trajtojnë atë. Vinicius është një lojtar si gjithë të tjerët. Nuk mund të gjykosh një penallti ndryshe vetëm sepse është Vinicius”, deklaroi Mourinho.
Ai shtoi se braziliani duhet të shihet thjesht si një futbollist dhe jo përmes perceptimit që mund të kenë tifozët për personalitetin e tij.
“Duhet ta shohësh Viniciusin në fushë si një lojtar tjetër. Ai është më i mirë se të tjerët”, tha Mourinho.
“Të fishkëllesh Viniciusin që në prekjen e parë është e pakuptimtë”
Portugezi u shpreh veçanërisht kritik ndaj tifozëve kundërshtarë që e vërshëllejnë brazilianin që në momentin e parë kur prek topin.
“Çfarë kuptimi ka një stadium që fishkëllen një prej lojtarëve më të mirë në botë kur nuk ka asgjë kundër tij? Ta shikosh duke luajtur është një privilegj”, u shpreh Mourinho.
Mourinho dhe çështja “Negreira”: “Kur isha këtu, ndjeva se diçka nuk shkonte”
Në fund të intervistës, Mourinho preku edhe çështjen “Negreira”, një prej skandaleve më të mëdha që ka prekur futbollin spanjoll vitet e fundit.
Trajneri portugez la të kuptohet se gjatë periudhës së tij të parë në Madrid kishte ndjerë se diçka nuk shkonte.
“Kur isha këtu, ndjeva se diçka nuk shkonte”, deklaroi Mourinho.
Megjithatë, ai pritet të flasë më gjerësisht për këtë çështje në pjesën e dytë të intervistës, ku tema do të trajtohet më në detaje.
Top Channel

