Paketa kundër dhunës: Krijohet regjistri elektronik për personat e përfshirë në vepra penale! Policia Kufitare mund t’u ndaloi daljen jashtë vendit dhe hyrjen në vendet e Shengen-it

Paketa kundër dhunës: Krijohet regjistri elektronik për personat e përfshirë në vepra penale! Policia Kufitare mund t’u ndaloi daljen jashtë vendit dhe hyrjen në vendet e Shengen-it

Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin e regjistrit elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike, si pjesë e paketës kundër dhunës, që u prezantua pas protestave të dhunshme.

Në regjistër do të përfshihen të dhënat identifikuese të personave që janë pjesëmarrës në tubime. Policia Kufitare do të ketë akses të kufizuar pasi mund të refuzojë daljen jashtë vendit të personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg, edhe nëse ndaj tyre nuk ka masë sigurie.

Në rast se u lejohet lëvizja, Policia Kufitare njofton autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi si dhe strukturat akomoduese për rrezikun që mund të paraqesë personi.

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT TË POSAÇËM ELEKTRONIK TË PERSONAVE TË REFERUAR OSE NËN HETIM PËR VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE, TË KRYERA ME DHUNË GJATË GRUMBULLIMEVE DHE MANIFESTIMEVE PUBLIKE, SHKËMBIMIN E TË DHËNAVE DHE VERIFIKIMET KUFITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin dhe funksionimin e regjistrit të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për veprat penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të parashikuara në seksionet I dhe III, të kreut VIII, të pjesës së posaçme të Kodit Penal, por pa u kufizuar në to, kur faktet përfshijnë kryerjen e veprimeve të dhunshme në dëm të jetës dhe shëndetit të personit ose pronës publike dhe private në grumbullime e manifestime publike.

2. Regjistri administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përmban të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga Policia e Shtetit në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.

3. Regjistri përmban:

a) të dhëna parësore: numrin unik të regjistrimit, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, të dhëna procedurale për personin dhe historikun e përditësimeve;

b) të dhëna dytësore: identitetin e personit që sigurohet nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

Numrin e referimit, datën e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar të tilla, që sigurohen nga sistemi ADAM dhe regjistrat përkatës elektronikë të Policisë së Shtetit.

4. Shkëmbimi realizohet përmes ndërveprimit elektronik të autorizuar, pa krijuar akses të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në regjistrat e prokurorisë.

5. Policia Kufitare dhe e Migracionit ka akses të kufizuar në regjistër, vetëm për qëllime të verifikimit kufitar dhe të zbatimit të masave kufizuese, të parashikuara me ligj. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit, Policia Kufitare ka të drejtën e refuzimit administrativ të daljes, sipas shkronjës “c”, të pikës 7, nenit 6, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.

Në çdo rast, nëse ndaj personit nuk vendoset refuzimi i daljes, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi për faktin e referimit të tij për veprat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton personat fizikë dhe juridikë privatë, që kanë struktura akomoduese, për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprimet e sipërpërmendura dhe se për këtë i janë referuar materialet përkatëse prokurorisë.

7. Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave rishikohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga regjistrimi. Në rast të marrjes së informacionit nga prokuroria kompetente për mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.

8. Përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave kryhen në përputhje me ligjin nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.

9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.