Izraeli përballet me një ngërç politik pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit. Blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu kryeson me 53 mandate, përballë 48 të opozitës së drejtuar nga Gadi Eisenkot, ndërsa partitë arabe kanë siguruar 19 vende në parlament. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka arritur shumicën prej 61 mandatesh që nevojitet për të formuar qeverinë.
Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka akuzuar partitë arabe për manipulim të zgjedhjeve, duke pretenduar se janë përdorur ryshfete, kërcënime, dhunë dhe falsifikime për të ndikuar te votuesit.
“Zgjedhjet u vodhën nga partitë arabe që mbështesin terrorizmin dhe zhdukjen e shtetit hebre, përmes veprave të rënda penale, si korrupsioni, kërcënimet, dhuna, falsifikimi dhe përdorimi i programeve të ndaluara për të nxitur votuesit”, thuhet në deklaratën e Likud.
Sipas partisë së Netanyahut, policisë, shërbimit të sigurisë Shin Bet dhe Komisionit Zgjedhor po u dorëzohen qindra dëshmi dhe prova të pretenduara për manipulime në qendra votimi arabe. Likud pretendon se janë zbuluar mijëra zarfe me para në dorë dhe fletë votimi të plotësuara paraprakisht, si edhe raste kërcënimesh e dhune ndaj komisionerëve.
Akuzat vijnë në një moment kur rezultatet e zgjedhjeve nuk i japin shumicën asnjërit prej dy blloqeve kryesore politike.
Pas numërimit të votave të hedhura në qendrat e votimit, blloku i Netanyahut ka siguruar 53 mandate, ai i Eisenkot 48, ndërsa partitë arabe 19. Këto vota përfaqësojnë rreth 86% të totalit.
Ndërkohë, mbeten për t’u numëruar votat e hedhura përmes sistemit të ashtuquajtur të “zarfeve të dyfishta”, që përdoret kryesisht nga ushtarët, rezervistët, diplomatët jashtë vendit dhe kategori të tjera votuesish.
Sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të raportuara nga BBC, numri i këtyre votave vlerësohet nga 430 mijë deri në 480 mijë, më pak se 600 mijë që ishte parashikuar fillimisht. Numërimi i tyre pritet të përfundojë të enjten pasdite.
Analisti Assaf Shapira, drejtor i Institutit për Reformat Politike pranë Institutit Izraelit për Demokracinë, ka shpjeguar se këto vota historikisht kanë favorizuar partitë e së djathtës fetare.
“Me një vlerësim të kujdesshëm, mund të shohim një rritje të mandateve në favor të bllokut Netanyahu”, tha ai për televizionin izraelit N12.
Megjithatë, Shapira vlerëson se votat e mbetura nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm raportin mes dy blloqeve, pasi asnjëri nuk është pranë shumicës së nevojshme për të qeverisur.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka përjashtuar mundësinë e formimit të një qeverie me pjesëmarrjen e partive arabe.
“Nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi ai, duke akuzuar kundërshtarët politikë se synojnë të krijojnë një qeveri me mbështetjen e përfaqësuesve arabë.
Në këtë situatë, presidenti izraelit Isaac Herzog ka njoftuar se javën e ardhshme do të nisë konsultimet me partitë parlamentare për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë së re.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur zgjedhje të tjera. Pres që kushdo që vjen këtu për konsultime të vijë me mendje të hapur”, deklaroi Herzog.
Rezultati i zgjedhjeve ka nxjerrë në pah edhe peshën e partive arabe, të cilat kanë siguruar 19 mandate sipas rezultateve të deritanishme dhe mund të luajnë rol në përpjekjet për krijimin e një shumice parlamentare.

