Policia kap drogë, SPAK kap llafe…

Policia kap drogë, SPAK kap llafe…

Nga Ylli Manjani
Qartësisht luftën e vërtetë kundër drogës në këtë vend e ka bërë dhe e bën Policia e Shtetit.

Ka kapur dhe kap njerëz me drogën në duar. Ka kapur prodhues, mbajtës, transportues dhe shitës. Ka sekuestruar lëndë narkotike, para, automjete dhe mjete të tjera të përdorura në këtë veprimtari.

Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë një shtet, që do të luftojë seriozisht drogën.

Lufta kundër drogës në territorin e Republikës së Shqipërisë është e shëndetshme, e nevojshme dhe në interes të të gjithëve. Sidomos droga në shkolla dhe tregtia që synon fëmijët është një aktivitet që meriton luftë pa kompromis.

Në këtë betejë, çdo operacion real kundër tregtarëve të drogës meriton mbështetje.

Por pikërisht këtu duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm.

Ndërsa policia kap drogë e bashkë me të edhe shitësit e saj, SPAK mbush lajmet se ka kapur persona mbi bazë llafesh.

Ndërsa polica kap e lufton drogën, SPAK kap llafe e lufton njerëz.

Kodi Penal shqiptar e njeh shprehimisht veprën e “Trafikimit të narkotikëve” në nenin 283/a. Ky nen parashikon importimin, eksportimin, tranzitimin dhe tregtimin e paligjshëm të narkotikëve.

Por, para se të bëjmë një akuzë të fortë juridike, duhet të bëjmë edhe një saktësim të rëndësishëm se ligji shqiptar nuk është i kufizuar absolutisht vetëm brenda kufijve territorialë të Shqipërisë.

Neni 6 i Kodit Penal, që paradoksalisht mazhoranca socialiste e ka hapur si llastik, parashikon shprehimisht se ligji penal shqiptar mund të zbatohet edhe ndaj shtetasit shqiptar që kryen një krim në territorin e një shteti tjetër, me kushtin, ndër të tjera, që vepra të jetë njëkohësisht e dënueshme edhe atje dhe të mos ketë një vendim përfundimtar të gjykatës së huaj.

Pra, problemi nuk është thjesht juridiksioni.

Problemi më i madh është si provohet trafiku i drogës në një shtet tjetër, kur ky i fundit nuk ofron asnjë provë?!

Dmth, është një gjë të thuash se shteti shqiptar ka juridiksion mbi një shtetas shqiptar për një vepër të kryer jashtë vendit dhe,krejt tjetër të thuash se çdo dyshim, çdo komunikim elektronik apo çdo indicie e marrë nga një hetim tjetër mjafton për të ndërtuar një trafik droge.

Nuk mjafton.

Nuk dënohet njeriu sepse hetuesi beson se ai ka bërë diçka.

Nëse një shtetas shqiptar dyshohet se ka marrë pjesë në një trafik ndërkombëtar droge, shteti ka të drejtë ta hetojë, por jo të dënojë me llafe.

Shteti duhet të provojë veprën konkrete, rolin konkret të personit dhe lidhjen konkrete të tij me atë vepër.

Këtu fillon kultura juridike.

Jo te bindja se “ky njeri duhet të jetë fajtor”.

Jo te ideja se “kjo bisedë duhet të nënkuptojë drogë”.

Jo te përkthimi i çdo fjalie të paqartë në një akt trafikimi.

Dhe aq më pak te ndërtimi i një akuze penale mbi materiale elektronike, kur autenticiteti i tyre, mënyra e marrjes, identiteti i personave që kanë komunikuar dhe konteksti i komunikimit janë vetë objekt i një dyshimi serioz.

Një bisedë nuk është automatikisht një vepër penale.

Një komunikim nuk është automatikisht një transport.

Një pseudonim nuk është automatikisht një person.

Një fjali e interpretuar nga hetuesi nuk është automatikisht provë e fajësisë.

Një dyshim, sado i fortë të jetë, nuk mund të zëvendësojë faktin penal.

Kushtetuta është e qartë. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Ashtu sikurse askush nuk mund të dënohet për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht nga ligji dhe ndalon zbatimin e ligjit penal me analogji.

Kjo është vija e kuqe.

Shqipëria nuk mund të bëhet gjykata e botës.

Le ta marrim edhe më konkretisht.

Nëse pretendohet se droga është nisur nga Amerika Latine, ka kaluar nëpër vende të tjera dhe është futur në një treg europian, pyetja themelore është: ku është kryer konkretisht veprimi që i atribuohet personit që po gjykohet në Shqipëri?

Nëse përgjigjja është se ai nuk ka qenë në Shqipëri, nuk ka sjellë drogë në Shqipëri, nuk ka shitur drogë në Shqipëri dhe nuk ka kryer asnjë veprim material këtu, kjo nuk e mbyll automatikisht juridiksionin shqiptar, sepse neni 6 ekziston. Por e bën shumë më të rëndësishme argumentin se cili është fakti konkret që e lidh këtë person me veprën konkrete?

Pse shteti ku u krye dëmi penal hesht?! Dhe pse heshtja e shtetit të dëmtuar qenka shkak ligjor për shtetin tonë të sulmojë shtetasin e vet?! Ç’llogjikë është kjo?! Cili shtet tjetër e bën këtë gjë me shtetasit e vet?!

Shqipëria mund të ketë juridiksion në raste të caktuara edhe për vepra të kryera jashtë territorit. Por kjo nuk do të thotë se mund të ketë prova jashtë territorit, vepër jashtë territorit, dëm jashtë territorit dhe pastaj të zëvendësojë mungesën e faktit me një interpretim të bisedave.

Shteti i përdor ligjet penale në përputhje të plotë me fuqinë e tij provuese, jo me fuqinë interpretuese të hetuesve.

Pikërisht te kjo fuqi interpretuese fillon deformimi i drejtësisë penale.

Lehtësisht me interpretime kalohet nga lufta kundër drogës tek lufta kundër dyshimit.

Një shtet serioz nuk duhet të pyesë vetëm: “A besojmë se ky njeri është trafikant?”

Por duhet të pyesë:
“Çfarë vepre ka kryer ky njeri, kur, ku, me kë, në çfarë mënyre dhe cilat prova të ligjshme e provojnë këtë?”

Këto nuk janë pyetje teknike të avokatëve. Janë vetë themeli i drejtësisë penale.

Nëse na mjaftoka bindja e hetuesit, nuk kemi më nevojë as për gjykatë. Siç edhe na ka ndodhur…

Nëse mjafton një komunikim i interpretuar siç dëshiron akuza, nuk kemi më nevojë për prova.

Nëse mjafton një material elektronik me origjinë të diskutueshme, nuk kemi më nevojë për standardin e autenticitetit.

Dhe nëse mjafton fakti që një person “duket” si dikush që mund të ketë bërë trafik droge, atëherë kemi zëvendësuar përgjegjësinë penale për një fakt të provuar me përgjegjësinë penale për një profil të dyshuar.

Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Sepse sot bëhet me drogën.

Nesër mund të bëhet me një krim tjetër. Pasnesër, parimi bëhet më i rëndësishëm se çështja konkrete dhe shteti nuk dënon atë që provoi se bëri, por atë që beson se mund ta ketë bërë.

Gjykatat shqiptare nuk janë Gjykata e Hagës që gjykojnë në
territor ndërkombëtar.

Dreqi e mori, gjykatat shqiptare nuk janë gjykata universale.

Ato nuk mund të marrin përsipër të gjykojnë çdo trafik droge të botës vetëm sepse një prej personave të dyshuar është shqiptar.

Juridiksioni ekstraterritorial ekziston dhe duhet respektuar aty ku ligji e parashikon. Por ai juridiksion nuk është licencë për të hequr dorë nga provat, nga ligjshmëria e tyre, nga lidhja midis personit dhe veprës dhe nga standardi i provimit.

Edhe kur vepra pretendohet se është kryer jashtë Shqipërisë, njeriu duhet të gjykohet për një fakt penal konkret, jo për reputacionin e tij, jo për dyshimin e hetuesit dhe jo për interpretimin e lirë të komunikimeve.

Në fund të fundit, ky është edhe ndryshimi midis shtetit që lufton drogën dhe shtetit që lufton njeriun.

I pari kap drogën, provon transportin, identifikon autorin dhe e çon para drejtësisë.

I dyti fillon me njeriun, pastaj kërkon një vepër që t’ia bashkëngjisë.

E para është luftë kundër krimit.E dyta është luftë kundër individit.