Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, kryeministri Edi Rama tha se kjo nuk është vepër e studentëve, teksa i ftoi ata për dialog. Për sulmet ndaj institucioneve dhe trazirat e shkaktuara në Tiranë përgjatë dy ditëve të fundit, ai bëri përgjegjëse opozitën, si duart që duan ta rikthejnë Shqipërinë në humnerë.
Kryeministri u shpreh se nuk ka kthim pas dhe vijon rrugëtimi drejt Bashkimit Europian. Orët e vështira do t’i kalojmë bashkë, tha ai. Rama siguroi se edhe autorët e sulmeve nuk do të mbeten pa u ndëshkuar nga ligji.
“Studentët janë e ardhmja, shohin larg dhe duan të shkojnë më larg e më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje. Këto janë të tjera duar. Këto janë duar që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart. Këto janë duart një opozite që me maska të verbërish para kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë. Kërkojnë ta rikthejnë në humnerën nga ku e nxorrëm dhe ku po e ngjisim, drejt ëndrrës në breza, BE. Kolegji i Europës ndodh sot të jetë simboli. Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku sepse Shqipëria do të vazhdojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj dhe kurrë më s’do të jenë ato duar që e kanë kapur për fyti dhe e kanë zhytur thellë e më thellë opozitën shqiptare, s’do ta kapin dot Shqipërinë. përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit. Secili që ka bërë këtë katrahurë, do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas. Katrahura që u kthye në verbërinë e saj, fantazma që do të përpiqet të rikthehet do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve, e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Rama.

