Protestuesit bllokojnë në 02 pas mesnate autostradën Tiranë- Durrës dhe rrugën e Rinasit. Shpërndahen pas përballjes me policinë afër aeroportit

Protestuesit bllokojnë në 02 pas mesnate autostradën Tiranë- Durrës dhe rrugën e Rinasit. Shpërndahen pas përballjes me policinë afër aeroportit

Në ditën e 15-të të saj, protesta kundër klasës politike, ka marrë një tjetër drejtim.

Pas qëndrimit rreth dy orë poshtë kryeministrisë dhe më pas marshimit të zakonshëm nëpër rrugët e Tiranës, ata nuk janë kthyer sërish aty ku u nisën, por u drejtuan në autostradën Tiranë- Durrës.

Për disa orë autostrada u bllokua nga marshimi i protestuesve, të cilët nuk u ndalën aty, por iu drejtuan rrugës së Rinasit në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në mes të marshimit të tyre, rreth orës 02.00 pas mesnate ata u përballën me policinë, forcat Shqiponja dhe ato të FNSH-së të cilët kishin formuar disa kordonë, të ndihmuar edhe nga makinat e mëdha të uniformave blu.

Protestuesit qëndruan për rreth 60 minuta ulur në rrugën e Rinasit, derisa morën vendim të mos avanconin më tej, por të ktheheshin drejt Tiranës.

Gjatë fillimit të protestës persona me kapuçë të zinj dhe syze prishën qetësinë e protestuesve. Tensionet nisën kur u përhapën zëra se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për firmosjen e një peticioni, por organizatorët thanë se një gjë e tillë ishte provokim.