Rama mbledh socialistët në Sheshin e Flamurit për të përkujtuar 35 vjetorin e PS-së: Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë

Rama mbledh socialistët në Sheshin e Flamurit për të përkujtuar 35 vjetorin e PS-së: Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë

Teksa në Tiranë protestuesit u mblodhën për të kundërshtuar investimin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, kryeministri Edi Rama i ka ‘sfiduar’ nga Vlora në një takim me socialistët, në 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike në degën e qytetit bregdetar.

Eventi për 35-vjetorin e PS dega Vlorë u zhvillua në Sheshin e Flamurit, ku u mblodhën me qindra qytetarë dhe mbështetës të kësaj partie.

Të pranishëm në takim ishin edhe kryeministri Edi Rama, drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, por edhe personalitete dhe ish-zyrtarë të kësaj force politike.

LEXO EDHE:
Balla poston foton e Shehajt në aeroport: Po ikën për pushime në Itali pasi u vetëshpall lider i protestës kundër resortit në Zvërnec
Gjatë fjalës së tij, Bledi Çuçi, duke nënvizuar prezencën e madhe të qytetarëve, tha se kjo ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ‘për ata që duan të na prishin festën’, referuar protestuesve apo eksponentëve të forcave të tjera politike.

“Gëzuar Vlora, çfarë kënaqësie sot me këtë prezencë, si një përgjigje e drejtpërdrejtë për ata që duan të na prishin festën. Një përgjigje e drejtpërdrejtë e Nuribeut që do të prishë çdo festë socialiste, por që nuk e ka arritur dot gjithë jetën ta bëjë dhe një përgjigje e të gjithë atyre nuribenjve dixhitalë që duan të prishin festën. Por asgjë nuk e ndal PS-në dhe zhvillimin e Shqipërisë. Sepse në këtë 35-vjetor, PS vjen si e vetmja forcë transformuese e realitetit shqiptar. Sot jemi më afër se kurrë BE-së”, tha Bledi Çuçi.

Ndërkohë kryeministri Rama gjatë fjalës së tij, teksa po fliste për investimin në Zvërnec, mori si shembull resortin ‘Porto Montenegro’ në Malin e Zi, i cili ka sjellë zhvillim në vend.

Sipas kryeministrit, investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec të Vlorës, do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë.

“Dua t’ju them se sot erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati. Përpara se të transformohej, Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë, ku nuk shkonin turistë dhe që konsiderohej nga të gjithë si një bregdet i nivelit të ulët. Erdhi një investim që e transformoi Tivatin në një vend që sot pret rreth 5 milionë turistë në vit. Ai investim 4 miliardë dollarë në Vlorë, do të bëhet bekim i gjithë Shqipërisë”, tha mes të tjerash Rama.

Teksa i është përgjigjur akuzave të protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, të cilët pretendojnë se ‘kryeministri po e shet Shqipërinë’, Rama tha se nëse ai do të shiste Shqipërinë, atëherë ishulli i Sazanit do të ishte privatizuar.

Sipas Ramës, Sazanin e kanë kërkuar edhe investitorë të tjerë që ta bëjnë destinacion turistik, por ai shtoi se qeveria e tij nuk ka pranuar që ta ofrojë ishullin për ta privatizuar, ashtu siç sipas kryeministrit kanë bërë paraardhësit e tij në krye të Qeverisë. Kryeministri Rama shtoi se Shqipëria është ‘përdhunuar’ shumë kohë para se ai të merrte drejtimin e Qeverisë.

“Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat. Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë.

Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani. Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar. Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë”, deklaroi kryeministri Rama.

Gjatë eventit u ndanë edhe disa medalje, për kontribuesit ndër vite të kësaj force politike në Vlorë. Në të njëjtin moment kur në Sheshin e Flamurit u zhvillua takimi për 35-vjetorin e themelimit të PS-së, në Vlorë u mbajt edhe një protestë qytetare, që kundërshton ndërtimin e resortit në Zvërnec.