Roland Maran turpëron Kombëtaren dhe veten në debutim, mposhtet dhe nga amatorët e Luksemburgut

Roland Maran turpëron Kombëtaren dhe veten në debutim, mposhtet dhe nga amatorët e Luksemburgut

Dy humbje në tre ditë për kombëtaren shqiptare të futbollit me trajnerin e ri Rolando Maran në stol. Pas disfatës 0-1 nga Izraeli po në Tiranë, edhe këtë të shtunë kuqezinjtë u mposhtën po në ‘Air Albania’, këtë herë nga modestët e Luksemburgut (vendi 98 në FIFA) me rezultatin minimal 0-1. Fatet e takimit i vendosi një gol i Danel Sinanit pas tetë minutave lojë.

Ndeshja nisi më mirë për miqtë, të cilët u imponuan për 15 minutat e para në të cilat gjetën edhe golin e fitores. Aiman Dardari bëri çfarë deshi dhe kaloi dy mbrojtësit tanë, ndërsa pasoi për Sinanin i cili nuk e pati të vështirë të shënonte.

LEXO EDHE:
E nisi me dy humbje në stolin e Shqipërisë, Rolando Maran: Ka zhgënjim pas dështimit për të shkuar në Botëror, i njoha më mirë lojtarët
Kuqezinjtë u dukën pa ide, ndërsa provuan disa herë për të goditur portën, por pa rezultat. Forma e mirë e Alen Sherrit në portë bëri që humbja mos ishte më e thellë për tanët. Përballja e sotme ishte e teta mes dy skuadrave. Në katër raste ka fituar Shqipëria, tre ndeshje kanë folur për Luksemburgun dhe në një rast sfida është mbyllur në barazim. Dhjetë gola ka shënuar Shqipëria në portën e rivalëve, kundrejt pesë të pësuarve.

Shqipëria në pesë ndeshjet e fundit ka pesë humbje, duke bërë që situata në kampin e Kombëtares të jetë alarmante, paçka se trajneri Maran ka vetëm dy ndeshje në stol. Sfida kundër Luksemburgut ishte e 100-ta për Elseid Hysaj, me mbrojtësin e Kombëtares që bëhet lojtari i parë që ka arritur këtë shifër.

Në shkallët e ‘Air Albanias’ tifozët ishin shumë të pakët në numër. Ky duel u gjykua nga një treshe arbitrash nga Kosova, me kryesor Genc Nuzën dhe ndihmës Fatlum Berishën dhe Bujar Selimajn. Arbitër i katërt ishte Eldorjan Hamiti. Kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit për lojtarët e Kombëtares dhe tani kuqezinjtë do të marrin pushimet.