Shqipëria në ankth për Vazon e 3-të! Ja çfarë duhet të ndodhë që kuqezinjtë të shmangin një short më të vështirë në EURO 2028

Shqipëria në ankth për Vazon e 3-të! Ja çfarë duhet të ndodhë që kuqezinjtë të shmangin një short më të vështirë në EURO 2028

Simulimet e Football Meets Data i japin Shqipërisë 65.6% mundësi për të qenë në vazon e tretë, por rreziku i përfundimit në vazon e katërt mbetet real. Sfida e së dielës mund të ndikojë edhe në pozicionimin e kuqezinjve për shortin e kualifikueseve të EURO 2028.

Shqipëria nuk e ka siguruar ende vendin në vazon e tretë për shortin e kualifikueseve të EURO 2028. Edhe pse situata është përmirësuar ndjeshëm në llogaritjet e fundit, kuqezinjtë vazhdojnë të jenë në një garë të hapur, ku rezultatet e radhës mund të ndikojnë në pozicionimin përfundimtar.

Simulimet e publikuara nga Football Meets Data më 12 nëntor i japin Shqipërisë 65.6% mundësi për të qenë në vazon e tretë dhe 34.4% për të përfunduar në vazon e katërt. Një përmirësim prej 13 pikësh krahasuar me përllogaritjet e mëparshme, por ende jo një garanci për pozicionimin mes 36 skuadrave të para.

Vëmendja është edhe te Bjellorusia, rivalja e drejtpërdrejtë e Shqipërisë në këtë garë. Sipas të njëjtave simulime, bjellorusët kanë 34.4% mundësi për vazon e tretë dhe 65.6% për vazon e katërt. Kjo e bën edhe më interesante përballjen e së dielës, e cila merr rëndësi jo vetëm për objektivin në Nations League, por edhe për pozicionimin në shortin e Europianit.

Si paraqitet situata në pesë vazot?

Në vazon e parë, tetë skuadra e kanë siguruar tashmë pozicionin: Portugalia, Spanja, Anglia, Franca, Holanda, Italia, Greqia dhe Belgjika. Danimarka dhe Gjermania janë shumë pranë tyre, me përkatësisht 98% dhe 97.6% mundësi.

Në vazon e dytë, vetëm Turqia dhe Zvicra janë të sigurta. Suedia, Austria dhe Bosnjë-Hercegovina janë shumë pranë këtij objektivi, ndërsa një duel i fortë zhvillohet mes Irlandës dhe Kosovës për pozicionimin në vazon e dytë ose të tretë.

Në vazon e tretë, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të siguruara. Shqipëria, Bjellorusia, Sllovakia, Islanda dhe Gjeorgjia janë ndër përfaqësueset që presin të mësojnë pozicionimin përfundimtar.

Ndërkohë, në vazon e katërt janë të sigurta shtatë përfaqësuese: Qipro, Finlanda, Moldavia, Armenia, Kazakistani, Letonia dhe San Marino. Shqipëria dhe Bjellorusia janë ende mes skuadrave që mund të përfundojnë në këtë vazo.

Vazon e pestë e kanë siguruar tashmë Malta, Azerbajxhani, Lituania, Gjibraltari, Andorra dhe Lihtenshtajni.

Për Shqipërinë, objektivi është i qartë: të ruajë pozicionin në vazon e tretë dhe të shmangë një zbritje në vazon e katërt, që mund t’i rezervojë kundërshtarë më të fortë në shortin e kualifikueseve të EURO 2028.