Sorollatjet e sharlatanëve të SPAK për të gjetur prova për abuzime me fondet e SASPAC përfundojnë afatet e hetimit! Ilir Beqaj lirohet nga qelia por “noterët” e GJKKO-së e lënë në arrest shtëpie

Sorollatjet e sharlatanëve të SPAK për të gjetur prova për abuzime me fondet e SASPAC përfundojnë afatet e hetimit! Ilir Beqaj lirohet nga qelia por “noterët” e GJKKO-së e lënë në arrest shtëpie

Gati 25 muaj pas arrestimit 4 korrikun e vitit 2024, ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të lerë më në fund qelinë. Rikthimi i çështjes për hetim në SPAK nga gjyqtarja e seancës paraprake 4 ditë më herët bëri që Beqajt t’i mbaronin afatet e paraburgimit për dosje ende në hetim. Bazuar në këtë fakt gjykata vendosi lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu dhe vendosjen në arrest shtëpie, siç kërkoi SPAK. Avokati i Beqajt e quajti vendimin e drejtë dhe paralajmëroi se Beqaj nuk do ta apelojë.

“Mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes në Prokurori. Ky vendim bën që afatet e mëparshme të bashkohen me afatet e hetimit paraprak, ndërsa afatet e paraburgimit shuhen. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, ashtu siç nuk do ta apelojë as Prokuroria. Edhe Prokuroria ishte dakord me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tani i takon Prokurorisë të marrë vendimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe unë pres që zoti Beqaj të shkojë në shtëpi. Zoti Beqaj ishte i lumtur që do të kthehet në shtëpi, por prej më shumë se dy vitesh jemi sorollatur për një çështje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë.

Ky është një vendim i balancuar, që i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë. Shpresoj që Prokuroria të tregohet korrekte në përmbushjen e detyrave që do t’i lërë gjykata. Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar”, tha avokati i Beqajt.

Një ditë më herët me të njëjtat argumente u lirua edhe i bashkëpandehuri tjetër i Beqajt në dosjen SASPAC, Ermal Kurtulaj. Ndaj Ilir Beqajt rëndojnë 6 akuza për periudhën kur drejtonte agjencinë që merrej me fondet e huaja.

SPAK e akuzon Beqajn për korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim e fshehje pasurie.

Sipas prokurores Elida Kaçkini Ilir Beqaj si drejtues, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Pas më shumë se 1 viti seancash paraprake, Gjykata e Posaçme vendosi më 27 korrik të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë për kalimin për gjykim të dosjes, duke i dhënë 3 muaj afat prokurorisë të plotësojë hetimet. Për këtë dosje janë gjithsej 11 të pandehur, 9 persona dhe 2 kompani.