Sot marshimi i veteranëve: Pa maska, me fytyrat tona! Prishtina në protestë pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së PDK çon në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Sot marshimi i veteranëve: Pa maska, me fytyrat tona! Prishtina në protestë pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së  PDK çon në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Prishtina hyn sot në ditën e dytë të protestave pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Pas tubimeve spontane që vijuan deri në mbrëmje para Qeverisë së Kosovës dhe selisë së EULEX-it, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur një tjetër protestë në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa paralelisht PDK pritet të dorëzojë në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë. Dje u dënua lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca e popullit tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, deklaroi Gazmend Syla pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të OVL-UÇK-së.

Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar edhe krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme, përmes së cilës synojnë të kundërshtojnë aktgjykimin deri në përfundimin e procesit të apelit. Sipas Sylës, në këtë nismë synohet përfshirja e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile, Shqipërisë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, si dhe mërgatës.

LEXO EDHE:
‘Sot thoni dokrra në Kuvend’/ Spaho ‘rrëzon’ opozitën: Mbështetët krijimin e Gjykatës Speciale! Berisha votoi pro ngritjes së komisionit të Dick Marty
Protesta pati edhe mbrëmjen e së enjtes ku ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Populli i Kosovës, çlirimtarët e vet i ka shpallur të pafajshëm, sepse e dinë që ata janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë. Prandaj, kjo gjykatë ka degraduar skajshëm, është jashtë asaj çka kemi besuar dhe ne do bëjmë çmos për ta përmirësuar gabimin e pafalshëm të cilin ata e kanë bërë dje. Ata janë ikonat e lirisë tonë dhe nuk ka gjykatë në botë që mundet t’i shpallë fajtorë për ato imagjinata të shfrenuara të cilat i kemi dëgjuar dje. Këto protesta, që janë edhe spontane, janë dëshmia më e mirë se ne të gjithë jemi me ta’ , tha Krasniqi.

Në mesin e protestuesve ishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe tha se beson në pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Faleminderit prej gjithë popullit shqiptar për mbështetjen. Populli është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është e pastër dhe besojmë në pafajësinë e të gjithë çlirimtarëve tanë”, u shpreh ai.

Përveç protestës së paralajmëruar për mesditën e sotme, dita pritet të shoqërohet edhe me një zhvillim politik në Kuvendin e Kosovës. Sipas burimeve të KosovaPress, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nisma vjen në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilloi edhe një takim me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takim u diskutuan rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ndërsa u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.

Dhomat e Specializuara shpallën më 16 shtator aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Trupi Gjykues i shpalli ata fajtorë për disa akuza, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas aktgjykimit, Prokuroria e Specializuar nuk arriti të dëshmonte përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik kundër popullatës civile.