Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings”,në raportin e saj analitik të fundit ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke ruajtur gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”.
Ndër të tjera agjencia thekson se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave për frymë gjatë viteve të fundit, ndërsa borxhi i qeverisë dhe borxhi i jashtëm në tërësi janë në trend rënës.
Agjencia vlerëson se ekonomia shqiptare mbetet rezistente dhe se ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit, duke u rritur mesatarisht me 4% në vit në terma realë gjatë periudhës 2022–2025.
“S&P” parashikon një rritje reale të Prodhimit te Brendshem Bruto prej 3.4% për vitin 2026, pak më ulët se 3.7% e vitit 2025 dhe mesatarisht 3% në vit për periudhën 2027–2029, e mbështetur nga eksportet e shërbimeve, konsumi privat dhe investimet.
“Standard & Poor’s” nënvizon se borxhi publik parashikohet të zbresë në 50.5% të PBB-së në fund të vitit 2029, nga 52.9% në vitin 2025.
Një zhvillim pozitiv i theksuar nga S&P është procesi i anëtarësimit në BE, ku agjencia vëren progresin në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe hapjen e të gjashtë grupkapitujve negociues.
Rezervat valutore të Shqipërisë janë rritur në 8.1 miliardë euro në fund të korrikut 2026, të mbështetura nga prurjet e forta eksporteve të shërbimeve, kryesisht turizmit, si dhe të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat i kanë mbuluar defiçitet e llogarisë.

