HomeBlog

Standardi zviceran i provës Sky ECC: Sovranitet, proporcionalitet, kontrollueshmëri

Standardi zviceran i provës Sky ECC: Sovranitet, proporcionalitet, kontrollueshmëri

Nga Avokat Isuf Shehu

Dy gjykata kantonale, Cyrihu dhe Baseli, refuzojnë përdorimin gjyqësor të të dhënave Sky ECC, duke ngritur argumentin mbi tri shtylla: sovraniteti procedural, ndalimi i mbikëqyrjes masive dhe e drejta e mbrojtjes për auditim teknik të provës digjitale.

Juridiksioni penal i shteteve në të drejtën ndërkombëtare mbështetet, para së gjithash, mbi dy parime klasike: parimin territorial, juridiksionim për të ndjekur penalisht veprat e kryera brenda kufijve sovranë dhe parimin e personalitetit aktiv, juridiksionim për ndjekjen e veprave penale të kryera nga shtetasit e vetë kudo që ndodhen. Përtej këtyre bazave, çdo veprim hetimor i një shteti në territorin e një shteti tjetër, pa autorizimin e këtij të fundit, paraqet shkelje të sovranitetit dhe të të drejtës ndërkombëtare. Mirëpo epoka dixhitale ka krijuar një realitet të ri, mundësinë e ndërhyrjes “nga larg”, pa prezencë fizike dhe shpesh jashtë mekanizmave klasikë të ndihmës juridike ndërkombëtare.

Në dy vitet e fundit, EncroChat dhe Sky ECC janë kthyer nga aplikacione të komunikimit të koduar në makineri gjyqësore që prodhojnë dënime masive për krim të organizuar në pothuajse gjithë Evropën. Mijëra të pandehur janë dënuar kryesisht mbi bazën e mesazheve të kapura nga këto platforma, shpesh pa qenë e qartë se ku mbaron operacioni policor dhe ku fillon procesi i rregullt ligjor.

Në këtë peizazh entuziazmi teknologjik, Zvicra ka zgjedhur një rrugë tjetër. Dy vendime të njëpasnjëshme të gjykatave kantonale të Cyrihut dhe Baselit kanë refuzuar që të dhënat Sky ECC të hyjnë në sallën e gjyqit, duke i vendosur një kufi të fortë logjikës së “provat flasin vetë”.

Në gusht 2025, Obergericht i kantonit Cyrih shpalli të paligjshme dhe të papërdorshme si prova të dhënat e siguruara përmes operacionit francez për Sky ECC ndaj përdoruesve në Zvicër. Argumenti kryesor ishte se autoritetet franceze kishin ndërhyrë në komunikimet e personave në territor zviceran pa dijeninë dhe pa autorizimin e organeve vendase, duke shkelur parimin e territorialitetit dhe sovranitetin procedural. Gjykata refuzoi parimin “prova ekziston, prandaj duhet përdorur”, duke theksuar se ligjshmëria e provës gjykohet sipas standardit zviceran, jo sipas certifikatës juridike të shtetit që e prodhoi. Ajo vuri në qendër edhe karakterin masiv të operacionit, një mbikëqyrje ndaj dhjetëra, mijëra përdoruesve njëherësh, në mungesë të plotë të dyshimit të individualizuar, kusht “sine qua non” (kusht i pashmangshëm) ky i parashikuar nga legjislacioni zviceran për autorizimin e masave sekrete të mbikëqyrjes. Kjo do të thotë se Franca nuk kishte as juridiksionin territorial (celularet-pajisjet fundore ndodheshin në Zvicër), as juridiksionin personal (mungesë dyshimi individual). Ky vakum i dyfishtë e kualifikon operacionin si “fishing expedition”, një hetim i gjerë pa bazë individuale, i refuzuar unanimisht nga legjislacionet demokratike si i papajtueshëm me parimin e proporcionalitetit.

Më 3 tetor 2025, Gjykata e Apelit e kantonit Basel (SB.2023.48, AG.2026.150), në një dosje trafikimi narkotikësh dhe pastrimi parash, u përball me të njëjtën provë, një dataset Sky ECC i marrë nga një operacion i huaj, pa pjesëmarrje të autoriteteve gjyqësore/policore zvicerane në fazën e ndërhyrjes. Ashtu si Cyrihu, Baseli vëren se hetimi teknik është zhvilluar jashtë juridiksionit zviceran, pa një bazë të qartë bashkëpunimi që ta lidhë ndërhyrjen në sovranitetin e Zvicrës. Por gjykata shkon një hap më tej, ajo e lidh sovranitetin me të drejtën e mbrojtjes për të “testuar” provën. Mbrojtja nuk kishte akses te të dhënat burimore, te hash-et kriptografike apo te logjet e plota të filtrimit. Në këto kushte, ajo nuk mund të verifikonte nëse dataset-i i ardhur nga Franca përfaqësonte të gjithë panoramën, apo vetëm fragmente të seleksionuara. Për Baselin, kjo do të thotë se provës i mungon kontrollueshmëria kontradiktore dhe një provë digjitale që nuk mund të kontrollohet nga mbrojtja është proceduralisht e papranueshme. Për pasojë, edhe në këtë rast, të dhënat Sky ECC u përjashtuan, pavarësisht peshës së akuzave dhe vlerës së tyre operative për prokurorinë.

Të dy vendimet kristalizojnë tri shtylla të qarta. Së pari, sovraniteti procedural, shteti i huaj nuk mund të veprojë si polici hetimore në territorin zviceran dhe pastaj të kërkojë që frutat e atij operacioni të pranohen pa filtrin e gjykatave vendase. Së dyti, ndalimi i kërkimit të përgjithshëm, mbikëqyrja masive e platformave të enkriptuara për të gjetur më pas dyshimin bie ndesh me parimin e dyshimit të individualizuar dhe proporcionalitetit. Së treti, kontrollueshmëria kontradiktore e provës, pa akses të mbrojtjes te baza teknike e dataset-it, prova digjitale trajtohet si e papranueshme, jo thjesht e diskutueshme.

Ky standard zvicerian lidhet natyrshëm me atë evropian që kërkon përjashtimin e provave të marra në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Por ajo që e bën modelin zviceran veçanërisht interesant është fakti se Zvicra vetë nuk është anëtare e BE-së. Gjykatat e Cyrihut dhe Baselit mbështeten në legjislacionin zviceran dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jo në të drejtën e BE-së, për të vendosur këta kufij.

Zvicra është jashtë Bashkimit Evropian, ashtu si Shqipëria, por brenda Evropës së të drejtave përmes Konventës së Strasburgut dhe marrëveshjeve të gjera të bashkëpunimit gjyqësor me shtetet anëtare. Ky pozicion i afërt institucional e bën standardin zviceran minimalisht një busull orientuese për debatin shqiptar mbi përdorimin e Sky ECC. Ai tregon se edhe një vend jo-anëtar i BE-së mund të refuzojë provën e importuar, duke u mbështetur te sovraniteti, proporcionaliteti dhe barazia e armëve.

Qasja aktuale në Shqipëri është shumë më pak inkurajuese. Duke qenë të përfshirë si mbrojtës në disa çështje penale të lidhura me provat Sky ECC, ndër të cilat “Metamorfoza”, “Toyota Yaris” dhe ajo e “Organizatës së Elbasanit”, konstatojmë se debati tashmë i hapur në Europë mbi ligjshmërinë dhe kontrollueshmërinë e këtyre provave mbetet ende i paasimiluar nga gjykatat shqiptare. Si pasojë, standardi i aplikuar bie ndjeshëm nën nivelin e pritshmërive procedurale ndërkombëtare: provat e importuara trajtohen pothuajse ekskluzivisht si çështje besimi tek autoriteti i huaj, e jo si objekt i një verifikimi autonom kushtetues dhe konvencional. Gjykata shqiptare rrezikon të bjerë në të njëjtën grackë që doktrina e “pjatës së argjendtë” ka ekspozuar prej kohësh, të kthehet nga garante e procesit të rregullt ligjor në konsumatore pasive të produkteve teknike të huaja të panjohura për të.