Spanja ka shpallur tri ditë zie pas një aksidenti të rëndë hekurudhor, ku të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Tragjedia konsiderohet ndër aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës.
Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës, nën ndriçimin e fuqishëm të projektorëve, për të prerë vagonët e dëmtuar dhe për të kërkuar viktimat e mbetura brenda tyre. Identifikimi i shumë prej personave që humbën jetën ende nuk ka përfunduar.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, i cili ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren tjetër që qëndronte i ndaluar në shina.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre, duke deklaruar se “e gjithë Spanja është në zi”.
“Jetët janë shkatërruar, familjet janë ndarë dhe dhimbja është e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, qindra punonjës të emergjencës dhe personel tjetër janë angazhuar në vendngjarje për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe rikuperimin e viktimave.
Në operacion po përdoren gjithashtu dronë dhe helikopterë për të lokalizuar viktimat dhe për të larguar mbetjet nga zona e aksidentit.
Autoritetet vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

