Tragjike në Kretë! Dy të rinj shqiptarë humbin jetën në një aksident me motoçikletë

Tragjike në Kretë! Dy të rinj shqiptarë humbin jetën në një aksident me motoçikletë

Dy shtetas shqiptarë kanë humbur jetën ditën e djeshme si pasojë e një aksidenti rrugor në ishullin e Kretës, në Greqi.

Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Kissamos-Hania, pranë zonës së Kolimbarit. Sipas informacioneve paraprake, dy të rinjtë po udhëtonin me motoçikletë, kur, në rrethana që ende nuk janë sqaruar, humbën kontrollin e mjetit dhe u përplasën me barrierat anësore të rrugës. Përplasja rezultoi fatale, duke u marrë jetën në vend.

Viktimat janë identifikuar si Edison Xhaka, 28 vjeç, nga Elbasani, i cili prej vitesh jetonte dhe punonte në Kissamos, si dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi, i cili gjithashtu jetonte dhe punonte në zonë.

Të dy përshkruhen nga të afërmit dhe bashkëqytetarët si djem punëtorë dhe të respektuar, me plane dhe ëndrra për të ardhmen, të ndërprera tragjikisht nga aksidenti.