Në samitin e organizuar nga kancelari Merz morën pjesë mbi 30 liderë, mes tyre edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, si dhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Gjatë takimit, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes forcës, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kërkoi vazhdimin e furnizimit të Ukrainës me armë.
Samiti u zhvillua ndërsa Rusia vijoi sulmet ndaj Kievit. Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha njoftoi se ishin dëmtuar ambasadat e Austrisë dhe Holandës, ndërsa mbetje dronësh kishin rënë edhe në territorin e Ministrisë së Jashtme ukrainase.
“Në Shenzhen, Putin u paraqit si një lider botëror. Në të vërtetë, ai është një kriminel dhe terrorist i nivelit botëror dhe duhet të trajtohet si i tillë”, deklaroi Sybiha.
Presidenti amerikan Donald Trump ka telefonuar nga avioni presidencial “Air Force One” liderët evropianë të mbledhur në Berlin për samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve”, duke i informuar për bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas agjencisë Bloomberg, e cila citon burime, Trump u ka thënë liderëve se takimi me Putinin në Shenzhen të Kinës shkoi mirë dhe se do të ndihmojë për arritjen e paqes në Ukrainë.
Gjithashtu mediat raportojnë se gjatë telefonatës Trump ka kritikuar fondet shtesë për Ukrainën.
Në një intervistë për NBC, presidenti amerikan deklaroi se nuk do të merrte “asnjë vendim përfundimtar për luftën në Ukrainë pa Zelenskyn”.
Duke folur për takimin me Putinin, Trump tha se presidenti rus ishte “jashtëzakonisht i irrituar” nga sulmet ukrainase ndaj urës së Krimesë, duke e cilësuar këtë reagim “të kuptueshëm”.

