Trump thotë se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un

Trump thotë se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, më vonë gjatë këtij viti, pak ditë pas reduktimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut, shkruan Euronews.

Trump dha gjithashtu një vlerësim jashtëzakonisht specifik mbi kapacitetet bërthamore të Phenianit, duke pretenduar se vendi tashmë zotëron “57 armë bërthamore shumë të fuqishme”.

Trump po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve rreth aludimeve të tij të fundit për komunikimet me liderin e Koresë së Veriut, ndërsa po inspektonte një pistë të re helikopterësh në Shtëpinë e Bardhë.

Ndonëse nuk pranoi të thoshte nëse të dy po shkëmbenin letra, ai u shpreh se “merret shumë mirë” me të.

“Dhe e dini çfarë, fakti që unë shkoj mirë me të është gjë e mirë, jo e keqe. Ai zotëron 57 armë bërthamore shumë të fuqishme. Nuk duhej të ishte lejuar kurrë që kjo të ndodhte,” tha ai, duke shtuar: “Po të isha unë president, nuk do ta kisha lejuar. Por ai i ka ato.”

“E njoh shumë mirë Kim Jong-un-in dhe ai do të jetë mirë,” vazhdoi ai. “Për sa kohë që kemi një president të zgjuar, ai do të jetë mirë. Nëse kemi një president budalla, atëherë ndoshta nuk do të jetë aq mirë.”

Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi takimin e planifikuar me Kim-in, i cili do të ishte i pari mes tyre që nga mandati i parë i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Komentet e presidentit vijnë vetëm pak ditë pasi ai njoftoi se kishte urdhëruar forcat amerikane të reduktonin stërvitjet e përbashkëta ushtarake “të kushtueshme” me Korenë e Jugut, të cilat, sipas tij, përcillnin një sinjal “të papërshtatshëm dhe armiqësor” ndaj Phenianit.

Në një postim në “Truth Social” ku njoftonte vendimin, Trump e përshkroi Korenë e Veriut si një “vend që, gjatë gjithë kohës që Donald J. Trump ka qenë president, nuk ka përbërë kërcënim dhe ka treguar respekt.”

Programi bërthamor i Koresë së Veriut

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi në prill se Koreja e Veriut po shfaqte një “rritje shumë serioze” të kapaciteteve të saj për prodhimin e armëve bërthamore.

Duke folur në Seul, Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i agjencisë, tha se programi bërthamor i Phenianit vlerësohej se përfshinte “disa dhjetëra koka bërthamore”.

“Kemi mundur të konfirmojmë se ka një rritje të shpejtë të operimit të reaktorit 5-megavatësh në Yongbyon,” vazhdoi Grossi, duke shtuar se ata kishin vërejtur gjithashtu një shtim të aktivitetit operacional në njësinë e ripërpunimit të reaktorit, si dhe “aktivizimin e objekteve të tjera”.

“Të gjitha këto tregojnë për një rritje shumë serioze të kapaciteteve të Koresë së Veriut në fushën e armëve bërthamore,” tha ai.

Në korrik, media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi se Pheniani ishte zotuar gjithashtu të forconte forcën e tij bërthamore “në cilësi dhe sasi”, ndërsa Kim theksonte nevojën për një ushtri të fuqishme për të garantuar “paqe të vërtetë”.

Koreja e Veriut ka kryer gjashtë prova të konfirmuara të armëve bërthamore që nga viti 2006.