Aksidenti i dy varkave në liqenin e Komanit e ka shqetësuar sot Mulin për një arsye krejt të veçantë. Linja e tragetit në Koman quhet Linja Berisha. Emrin ia ka vënë biznesmeni që ka pasur tragetin, për nder të Doktorit.
Sot në atë linjë u shënua aksidenti i parë, pasi në Koman u hodh varka e dytë.
– Domethënë, sapo u bënë dy varka, u përplasën me njëra-tjetrën, i tha Lelos. Do të fillojnë të tallen me ne që s’dimë t’u japim varkave. Duhet ta zbusim pak këtë lajm.
– Është e thjeshtë, tha Lelo. Është faji i qeverisë, që nuk vendos sinjalistikë në liqen. Kjo është arsyeja kryesore e aksidentit.
– Po edhe sikur ta vënë, kush e zbaton aty? – tha Muli. – Duket si shumë teknik si arsyetim. Duhet të gjejmë një arsye më politike.
– Më politike është kollaj, i tha Lelo. Do të themi që varka që ka goditur Linjën Berisha ka qenë varka e trafikantëve të PS-së, të cilëve iu errësuan sytë kur panë Linjën Berisha dhe e goditën.
– Kjo po, tha Muli. Por duhet pyetur se mos janë tanët dhe na del problem.
– Edhe po të jenë, u themi: jeni caktuar socialistë për tri ditë, sa të ikë jehona e lajmit, pastaj s’ka më problem.
– Dakord, tha Muli. Dhe ashtu e bëjmë.
Për më tepër që aksidenti ka ndodhur në territorin e Tropojës, afër bregut të Nikaj-Mërturit, nga ku janë 90 për qind e udhëheqësve të revolucionit flamingo. Mund të dalë që janë edhe pjesëtarë të revolucionit, nëse na nevojitet.
– Ta testojmë njëherë me Edi Ramën, tha Lelo. Po nuk eci, ua lëmë atyre në derë.

