U shpall i pafajshëm nga GJKKO-ja! Pëllumbi me Larën në Apel dënojnë me 7 vite e 4 muaj burg edhe për korrupsion e pastrim parash ish-shefin e operacionales Oltion Bistri! Do të rikthehet në qeli, pasuritë miliona € i kalojnë shtetit

U shpall i pafajshëm nga GJKKO-ja!  Pëllumbi me Larën në Apel dënojnë me 7 vite e 4 muaj burg edhe për korrupsion e pastrim parash ish-shefin e operacionales Oltion Bistri! Do të rikthehet në qeli, pasuritë miliona € i kalojnë shtetit

Oltion Bistri, ish shefi i Operacionales, me një karrierë të gjatë në Polici, i akuzuar për lidhje me krimin, dhe pjesa e dosjes “Metamorfoza”, do të duhet të rikthehet në qeli.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur sot vendimin e shkallës së parë, e cila vitin e kaluar e dënoi atë me 2 vjet burgim, pas gjykimit të shkurtuar, vetëm për akuzën e “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, duke i dhënë pafajësinë për akuzat e tjera të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.

Apeli i Posaçëm, e ka gjetur atë fajtor dhe për këto dy akuza, duke e dënuar përfundimisht me 11 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkojnë në 7 vite e 4 muaj.

Me vendimin e sotëm të trupës gjykuese me relator Dhimitër Lara e anëtar Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi, rikthehet edhe konfiskimi i pasurive të tij, 3 apartamente dhe 2 dyqane, si dhe 1 milion euro në cash.

Pasuritë e konfiskuara
Apartament me sipërfaqe 400 m2
Apartament me sipërfaqe 400 m2
Apartament me sipërfaqe 110.6 m2
Dyqan me sipërfaqe 125 m2
Dyqan me sipërfaqe 95 m2
1 mln euro cash, konkretisht: 230.000 euro, 200.000 euro, 50.300 euro, 320.000 euro dhe 200.000 euro
Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik të vitit 2023, dhe qëndroi në qeli deri më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi lirimin e menjëhershëm, pasi koha e dënimit rezultoi të ishte shlyer në paraburgim.

Oltion Bistri ka qëndruar në qeli afro 2 vjet e 4 muaj burgim, të cilat i llogariten në 3 vjet e 6 muaj. Me dënimin e dhënë, ai do duhet të vuajë afërsisht edhe 3 vjet e 10 muaj të tjerë.

Dënimet e Apelit
Oltion Bistri- 11 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 7 vite e 4 muaj
Edmond Preka 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 7 vite, burg i sigurisë së lartë
Behar Brajovic (Bajri) 13 vite burg me gjykim të shkurtuar zbret në 8.8 vite, burg i sigurisë së lartë
Astmer Bilali 8 vite e 6 muaj, 5.8 vite me gjykim te shkurtuar, burg i sigurisë së lartë
Dosja “Metamorfoza” nxori në dritë lidhjet e biznesmenit të kazinove Pëllumb Gjoka me drejtues policie dhe anëtarë të grupit të Bajrave në Shkodër. Ish-kreu i Operacionales, Oltion Bistri e paralajmëronte Gjokën për kontrollet e policisë dhe e siguronte se kazinoja e tij në Tiranë do të mbetej e paprekur. Dosja zbuloi edhe përfshirjen e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita i dënuar në shkallë të parë për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe dy episode korrupsioni pasiv.

Dosja u nda në disa fraksione me emra të rëndësishëm të botës së krimit, por edhe të biznesit dhe uniformave blu. Apeli i GJKKO i la në fuqi dënimet për Behar Bajri, me 8 vite e 8 muaj burg, Astmer Bilalin me 5 vite e 8 muaj, Edmond Prekën dhe ish prokurorin Xhevahir Lita me 3 vite e 4 muaj burg. Pëllumb Gjoka dhe ish efektivi Ardit Hasanbegaj u dënuan nga shkalla e parë veçmas, respektivisht me 6 dhe 5 vite burg, për sigurim kushtesh për vrasje, në një fraksion tjetër që është duke u gjykuar në Apel.