Vetëm 8% probabiliteti në Polymarket për rënien e qeverisë Rama këtë vit…

Vetëm 8% probabiliteti në Polymarket për rënien e qeverisë Rama këtë vit…

Nga Eduard Zaloshnja

Polymarket është një bursë online për parashikime nga më të ndryshmet, ku përdoruesit blejnë dhe shesin kontrata të lidhura me ngjarje reale, si zgjedhjet politike, vendimet ekonomike, konfliktet ndërkombëtare, sporti apo zhvillimet teknologjike. Çmimi i një kontrate, zakonisht ndërmjet 0 dhe 1 dollar, interpretohet si vlerësimi i tregut për probabilitetin e një ngjarjeje; për shembull, një çmim prej 0,70 dollarësh nënkupton se pjesëmarrësit i japin ngjarjes afërsisht 70% mundësi të ndodhë. Pas përfundimit të afatit parashikues, kontrata fituese paguhet me një dollar, ndërsa ajo humbëse humbet vlerën. Përveç mundësisë së fitimit financiar, Polymarket përdoret edhe si burim informacioni për të matur në kohë reale pritshmëritë kolektive.

Aktualisht në Polymarket janë investuar rreth 140 mijë dollarë nga qindra investitorë mbi parashikimin se qeveria Rama do të bjerë deri më 31 dhjetor 2026. Ata që e parashikonin dje këtë gjë e kanë probabilitetin e fitores vetëm 8%, ndërsa ata që parashikonin të kundërtën e kanë probabilitetin e fitores 92%. Pra, nëse dikush ka futur dje 8 dollarë për rënien e qeverisë Rama, në fund të vitit merr 100 dollarë, po të bjerë qeveria (në të kundërtën merr 0 dollarë).

Ndryshe nga bastet online, ku kompanitë e basteve përcaktojnë dhe lëvizin koeficientët bazuar në analizat statistikore të klubeve që përballen në një ndeshje sportive, në Polymarket probabilitetet luhaten sipas shumave që futen për parashikimet nga pjesëmarrësit në bursë. Kështu, më 20 qershor mbizotëronte parashikimi për rënien e qeverisë Rama brenda vitit me 54% probabilitet, ndërsa tani probabiliteti ka zbritur në vetëm 8% (shihni grafikun e mëposhtëm).