Milani është në kërkim të trajnerit, drejtorit sportiv, atij teknik dhe administratorit të përgjithshëm, pasi dështimi për të marrë pjesë në Champions League solli shkarkimin e Massimiliano Allegrit, Igli Tares, Geoffrey Moncada dhe Giorgio Furlanit.
Mediet në Itali bëjnë me dije edhe përplasjet mes drejuesve për emrat e afruar në merkato, si edhe punën ‘pas krahëve’ të administratorit Giorgio Furlanit kundër Tares dhe Allegrit.
‘Krisja’ përfundimtare mes Tares dhe Furlanit duket se ka nisur me transferimin e Samuele Riccit, një lëvizje e kryer krejtësisht nga Furlani pa marrë më parë miratimin e Tares dhe trajnerit Allegri. Ky operacion u favorizua dukshëm nga raportet e ngushta, pasi agjenti i lojtarit, Busardo, njihet si mik i afërt me ish-administratorit kuqezi.
Distanca mes palëve u thellua akoma më tej në zgjedhjen e lojtarëve për mesfushën, ku Furlani vendosi veton kundër afrimit të Granit Xhakës, i cili ishte përzgjedhja kryesore e Tares. Në vend të tij, Busardo mori një mandat të ri direkt nga Furlani për të nisur bisedimet për Hojlund, duke përgatitur paralelisht edhe planin rezervë që mbante emrin e Harder.
Furlani bllokoi përfundimisht negociatat e nisura nga Tare për transferimin e Dusan Vlahovic, duke përdorur si argument arsyet financiare dhe balancat e rrepta të buxhetit.
Ky bllokim e la klubin të zbuluar në ditët e fundit të merkatos, çka e detyroi administratorin të futej në një situatë paniku. Për të shpëtuar imazhin, Furlani shpenzoi plot 35 milionë euro për Nkunku në momentet e fundit të afatit kalimtar, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me drejtuesit e Chelseat.
Kjo strategji e personalizuar e Furlanit u konfirmua edhe me bllokimin e shitjes së Gimenez, të cilin ai vetë e kishte blerë për 31 milionë euro në merkaton e dimrit të vitit 2025. Ky refuzim erdhi si një lëvizje thjesht politike brenda klubit, me qëllim që Furlani të mos humbiste besueshmërinë dhe peshën e tij në sytë e pronarit të Milanit, Gerry Cardinale.

