Ndryshe nga herët e tjera, sot, në ditën e 94-t të tubimit para Kryeministrisë, të pranishmit nuk kanë mbajtur fjalime në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, por vendin e tyre e zunë tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Tensionet kanë nisur pasi protestuesit kaluan pas godinës së Kryeministrisë, për të bllokuar hyrjen kryesore, ku futet e del eskorta e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë. Kryeministri Rama ka qenë brenda godinës gjatë gjithë momenteve të përplasjeve dhe vetëm pas shpërndarjes së protestuesve, eskorta e tij është larguar nga Kryeministria.
Gjatë tensioneve ishin të pranishëm edhe disa prej ‘të vetëshpallurve’ si organizatorë të protestës, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj dhe Arben Kola, të cilët përmes megafonit kanë nxitur të pranishmit që të rrethojnë godinën e Kryeministrisë.
Efektivët fillimisht duket se u kapën të papërgatitur nga kjo situatë, ndërkohë që për pak minuta atyre iu bashkuan edhe forca të tjera, duke krijuar një kordon në hyrje të godinës qendrore të Qeverisë. Raportohet për rreth 11 persona të shoqëruar në Komisariat, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj dhe aktivistja Arvina Lleshi.
Më pas protestuesit u ulën këmbëkryq në rrugën para hyrjes kryesore të Kryeministrisë, duke mos iu bindur urdhërave të Policisë për të hapur rrugën, me qëllim kalimin e automjeteve. Pranë tyre u afrua edhe autoboti i ujit i Policisë, i cili nuk ndërhyri për të shpërndarë protestuesit.

